4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Berisha: Tirana është epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës

Ish-kryeministri Sali Berisha para delegatëve në stadiumin “Air Albania”, theksoi se kuvendi i sotëm është triumfues në historinë e pluralizmit shqiptar në 30 vitet e fundit. Ai po ashtu, shtoi se sot ri-themelohet Partia Demokratike pas dështimeve të Lulzim Bashës dhe dorëzimit të tij para Edi Ramës. Ai para mijëra delegatëve dhe simpatizantëve demokratë, ka deklaruar se PD “do t’i japë fund hegjemonisë së kriminelëve të Beogradit në Shqipëri”. Ai ka paralajmëruar se sheshet do të mbushen plot kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Në stadiumin “Air Albania” ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë. Ai tha se Tirana është kthyer në epiqendër të luftës së ftohtë kundër Prishtinës.

“PD-ja ngrihet fuqishëm si parti i interesit kombëtar e cila do t’i japë fund hegjemonisë së kriminelëve të Beogradit në Shqipëri dhe Ballkan. Ne jemi për marrëdhënie normale, por grupi minimal që udhëheq sot Beogradin është inspirator kryesor i gjenocidit serb në Bosnjë, në Kosovë, mohon gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe duke përdorur veglat e tij në Tiranë dhe Shkup, ka rrethuar Kosovën në një dardhë në të cilën kërkon t’i zërë frymën. Asnjëherë Tirana që nga koha e Enver Hoxhës nuk ka qenë si sot epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe për Ballkanin e hapur, ku paralajmëroi se në rast të vizitës së presidentit Aleksandër Vuçiq në Tiranë do të mbushen rrugët dhe sheshet kundër tij.

“Ballkani i hapur i konkretizuar me aleancën trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë, është ballkani i hegjemonisë serbe, i influencës direkte ruse, është ballkan i interesave anti-kombëtare, anti-evropiane. Është projekti që kërkon të zëvendësojë për shqiptarët, kombet tjera procesin e Berlinit në procesin e Putinit. Ndaj edhe ne zotohemi t’i japim fund këtij procesi. Paralajmërojmë Gëlbesin e Millosheviçit apo Sllobodanin e ri për Ballkanin e hapur mos mendo të vish ndonjëherë në Tiranë, sheshet dhe rrugët do t’i kesh plot kundër teje”, u shpreh ai

Lideri historik i PD-së tha se synim kanë shtetin ligjor dhe barazinë para ligjit.

“Ky kuvend sjell PD-në në themelet e saj si forcë politike evokacionit perëndimor kombëtar shqiptar, si forcë politike të kombit shqiptar që sot vuan më shumë se kurdo herë tjetër që nga diktatura komuniste”, tha ai.

Ai tha se kryetari i deritanishëm, Lulzim Basha për tetë vjet sa udhëhoqi këtë parti, iu dorëzua regjimit të Edi Ramës, duke bërë prita politike kundër bashkëpunëtorëve të tij. Lideri historik theksoi se forca e tyre politike nuk po korrte për një kohë të gjatë asnjë fitore.

“Në krye të Partisë Demokratike erdhi përfaqësuesi i gjeneratës së re, i cili në vend që të fuqizonte PD-në, bëri të kundërtën e saj. Lulzim Basha në tetë vite de facto u faktua vet si një kamp opozitar. Ai nisi drejtimin e partisë duke u përkulur në kundërshtim me ligjet, kushtetutën, fuqinë e pakufishme të forcës që drejtonte, duke u përkulur para regjimit të Edi Ramës. Dy vjet pasi dorëzuam pushtetin, Edi Rama i bllokoi çdo projekt të madh të Bashkisë së Tiranës”, ka deklaruar ai.

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të dorëzojë në gjykatën e Parisit provat kundër tij për të legjitimuar shpalljen “non grata”.


“Në maj të këtij viti DASH shpall ‘non grata’ Sali Berishën, tetë vite pasi kishte dhënë dorëheqjen nga çdo rol, njeriun që ishte lavdëruar më shumë se nga kushdo tjetër nga administrata e ShBA-së për luftën me sukses kundër korrupsionit. Shpall ‘non-grata” njeriun që gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte patur kurrë asnjë akuzë të ngritur, ndaj tij apo familjarëve të tij për korrupsion. Një njeri i cili kishte bërë gjithçka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. I cili 31 vjet më parë në drejtim të kësaj partie kishte përmbysur në Shqipëri diktaturën më staliniste të Evropës[…]Nisa betejën time po aq i vendosur si 32 vjet më parë të bëj gjithçka për dinjitetin tim në sallën e gjyqit, në transparencë. Kam muaj dhe muaj që pres, asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë për faktin e vetëm se nuk ekzistojnë”, 
deklaroi ai po ashtu në Kuvendin Kombëtar që u mbajt në stadiumin “Air Albania”.

Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, multimiliarderin George Soros.

“Kuvendi ynë sot është ngjarje historike për ata dhe konservatorët kudo që ndodhën në botë. Sepse ai mblidhet si kuvend shpëtimtar i vlerave të mëdha që ndajmë me ata kudo që janë. Sepse ai mblidhet si kuvend i cili përballet me sukses i vendosur të rrëzojë nga pushteti në Shqipëri, por i vendosur gjithashtu të ngrit PD-në si parti konservatore në piedestalin që meriton, duke u përballur me mafien më të rrezikshme të planetit, mafien e armikut të egër të interesave kombëtare shqiptare, të demokracisë shqiptare, multi-miliarderit George Soros”, ka deklaruar ai para delegatëve.

Delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së gjatë ditës së sotme kanë vendosur për hedhjen në votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit, Lulzim Basha. Në stadiumin “Air Albania” po organizohet ky votim, ndërsa më 18 dhjetor pritet të ratifikohet me referendum kjo vendimmarrje.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha kishte propozuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD-së për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img