Site icon PrishtinaPress

Berisha: Rama beson se me izolimin tim mund të bllokojë mosbindjen civile, por kjo vetëm do ta fuqizojë më shumë lëvizjen

Nga Gjirokastra ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët, kryedemokrati Sali Berisha foli për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij, me qëllim ashpërsim të masës së sigurisë. Për Berishën kjo është një tentativë e kryeministrit Edi Rama për të ndaluar mosbindjen civile të opozitës. 

Berisha tha se Rama beson se me izolimin e tij mund ta bllokojë këtë mosbindje, por e vërteta sipas kryedemokratit është se kjo vetëm sa do e fuqizojë më shumë këtë lëvizje.

“Përpjekja e fundit ndaj Sali Berishës. Akuzon dhëndrin e tij se ka marrë në një proces 15-vjeçar, në përputhje të plotë me çdo ligj të vendit, 408 metër tokë të konfiskuar nga regjimi komunist gjyshërve të tyre, të cilët e kanë paguar me burg. Vetë Edi Rama, nga kjo tokë ka marrë 1200 metër katrorë me katër vendime qeverie. Kjo është e vërteta. Dhe tani, porosit gjykatës dhe prokurorë të përcaktojnë masa antikushtetuese kundër meje, duke besuar se me izolimin tim, mund të bllokojë mosbindjen civile të PD. I bindur jam se kjo jo vetëm do bllokojë, por do fuqizojë më shumë këtë lëvizje dhe Edi Rama do i ketë ditët e shkurtra. Pra, ne jemi në mision”, tha ai.

Për Berishën, PD ndodhet para detyrës më të rëndësishme të saj, atë të përmbysjes së narkodiktaturës në Shqipëri.

“Mos harroni, festuam 33-vjetorin, tre dekada e sa. Vështirë të gjendet një forcë politike të ketë pasur shansin të bëjë për vendin e vet kaq sa ka bërë PD. Tani ndodhet para detyrës më të rëndësishme të saj pas asaj që ka pasur në vitin 1991. Ndodhet para detyrës së përmbysjes së narkodiktaturës në Shqipëri. Unë kam bindjen se ne me kauzën tonë të drejtë, do ecim të sigurt drejt fitores. Para se të vija këtu, një aktivist i shquar i PD, me shumë të drejtë shtroi: ne tha, duhet të zbresim në çdo seksion, duhet të zbresim te qytetarët, duhet të organizohemi sepse këtë betejë, do ta kemi shumë më të suksesshme. Në qoftë se nuk do ishte kjo situatë, e krijuar nga narkoregjimi, ne këtu së bashku sot do analizonim me haptas dhe sinqeritet të gjitha të metat tona dhe do përcaktonim çdo hap për fitoren. Por jemi një vend që nuk bëjmë zgjedhje, ne jemi një vend ku opozita ndëshkohet në të gjitha mënyrat, ne jemi një vend ku integrimi është bllokuar, ku krimi vendos, prandaj ne na duhet sigurisht të merremi me të metat tona, por gjithçka në funksion të betejës që kemi përpara. Ne na duhet që ajo nismë e mosbindjes civile, që po vazhdon në parlament dhe u them unë ju, me një efiçiencë të jashtëzakonshme. Ai grup parlamentar e ka atë meritë shumë të madhe. Kurrë ndonjëherë, në njësi kohe kaq të shkurtër, një regjimi nuk i është çjerrë maska sa është diskredituar Edi Rama nga lëvizja e deputetëve në parlament”, tha Berisha./tvklan.al/

Exit mobile version