Site icon PrishtinaPress

Berisha: Nuk ka menaxhim të mirë të situatës, po testohen VIP-at pa pasur simptoma

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID-19.

Berisha ka pohuar se po bëhen testime të panevojshme, duke përmendur kështu VIP-at.

“A jemi duke luftuar si dhe sa duhet Pandeminë? A mos jemi duke rënë viktimë e analistëve të komprometuar dhe ushtrisë virtuale që kjo Qeveri e ka krijuar e të cilët lavdërojnë punën e një Ministrie, pa qenë në gjendje të numërojmë as edhe vetëm një veprim efikas të saj. E vërteta është se deri më tash janë hetuar vetëm 1 mijë 175 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2. Nga këto mostra të marra për testim, gjithsejtë 108 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Ekziston frika e bazuar se shumë pak mostra janë testuar. Në mesin e 1 mijë e 175 mostrave shumë testime kanë qenë të panevojshme dhe u janë bërë VIP-ave pa simptoma”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Deputeti po ashtu ka thënë se “është pakuptueshme dhe e pa justifikueshme se si i tërë kabineti i qeverisë Kurti u testua pa pikë nevoje dhe pa asnjë simptomë”.

“Populli i Kosovës është populli më i izoluar në Evropë dhe vendi që vizitohet pak nga të tjerët. Ndoshta kjo është edhe e mira jonë në këtë pandemi! E potencojë, respekt për personelin mjekësorë, emergjencat, policinë, zjarrëfikësit, gazetarët e terrenit dhe të gjitha shërbimet në detyrë dhe përballje! Politika nuk duhet të merr meritat e tyre e ti prezantojë si produkt i kabineteve të tyre”.

Exit mobile version