Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me sulmin që i është bërë ish-kryetarit të komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçi në aksin rrugor Lezhë-Milot.
“Ka pasur akte e përpjekje për blerje masive të votave, të proporcioneve të paimagjinueshme deri në oferta: thuaj sa euro do për votën.
Këto janë të dokumentuara dhe për këto kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtar dhe KQZ. Sot unë dola para jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm ku Salvador Kaçit, një nga eksponentët e PD në Lezhë, ish kryetar i bashkinë së Shëngjinit, e kanë ndjekur 2 makina pa targa ku ai ka qenë bashkë me djalin e tij dhe shoferin, persona të maskuar, të armatosur, kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta. Shoferi i Salvadorit, një ish-gardist ka arritur të manovrojë me makinë dhe nuk ka mundësuar atentatin.
Ata e kanë ndjekur me armë në dorë që t’i vrisnin, nuk kanë arritur port ë gjitha këta janë të filmuara. Mund t’u them që dy ditët e fundit, bandat e Pjerin Ndreut kanë terrorizuar zonë pas zone Lezhën.
E kanë bërë këtë akt në shoqërim nga policia e cila kalonte afër dhe nuk u thoshte asgjë, përkundrazi krijonte përshtypjen tek banorët sikur po siguronte sigurinë e bandës.
Ky atentat i dështuar, vepër e Ramës dhe Pjerin Ndreut. Rama siç e dini u mor personalisht me Salvadorin në fjalimin e tij në Lezhë.
Salvadori përveç mbështetjes së kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Pashkë Gjonit gjithë jetën e tij ka respektuar ligjet. Ky akt është një krim i shëmtuar, personalisht i Edi Ramës dhe i Pjerin Ndreut. Kanë synuar me çdo ndryshimin e rezultatit dhe natyrisht të eliminojnë fizikisht një kundërshtar të shpallur nga Edi Rama si i rrezikshëm për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e tij.
Salvadori ka bërë denoncimin dhe janë marrë edhe kamerat. Salvador Kaçaj është një emër në fushën e sporteve, por e vërteta është se transformoi në mënyrë rrënjësore Shëngjinin dhe e bërë atë në një nga vendet turistike më të preferuara.“, tha ai.
Ndërkohë Kaçaj në një dalje publike në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi rama dhe kandidatin e PS për Bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu, se kanë paguar njerëz për ta eleminuar fizikisht.
“Kemi shpëtuar falë Zotit dhe manovrave të shoferit tim që është një ish-shofer garde i sprovuar. Kemi shpëtuar dhe Zoti na ka dhënë një jetë të dytë.
Të gjitha përpjekjet e Edi Ramës do dështojnë dhe rezultati në Lezhë do jetë 3 me 0. Kjo gjë nuk ka ndodhur as në vendet e Afrikës së Jugut, që ka ndodhur në Lezhë.
Në çdo derë, në çdo biznes ka pasur kërcënime nga banditët e Pjerin Ndreut, i cili është organizator bashkë me Edi Ramën. Sepse Edi Rama është marrë personalisht me mua, ndërsa unë jam krenar për mbështetjen që i kam dhënë Pashk Gjonit.
Nuk e kam parë veten në jetën time në një pozicion kaq të vështirë, përpara armës. Ata janë njerëz të papërgjegjshëm dhe kriminelë dhe duan ta marrin pushtetin me banda dhe kriminelë.
Nuk merret pushteti me banda dhe kriminale. Siç ju thashë, do jetë një rezultat spektakolar në qarkun e Lezhës”, tha Kaçaj.