Në orën nëntë të mëngjesit sot ishte në plan që para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, të raportojë shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, pas rastit të kërcënimit me vrasje të ish-prokurorit Dick Marty, e për të cilin u raportua se vrasja do t’i faturohej Kosovës nga inteligjenca serbe.
Por, kjo mbledhje dështoi për shkak se deputetët e Vetëvendosjes në këtë komision nuk shkuan, derisa aty ishin të pranishëm vetëm Bekë Berisha i AAK-së dhe Ganimete Musliu e PDK-së.
Pas mosardhjes së deputetëve të VV-së, Berisha pati akuza të forta për shefin e tyre të partisë, të cilin e akuzoi se po mban pozicion kundër UÇK-së.
Në këtë komision bojkotuan qëllimisht mbledhjen e sotme. Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, njëherit anëtar i këtij komisioni.
“Paramendo kemi ardhur në një situatë ku Dick Marty ka heq dorë nga agjenda ruse/serbe dhe nga akuzat kundër UÇK-së, derisa Albin Kurti dhe VV-ja hala t’u e mbajt frontin. Sot, VV-ja e bojkotoi raportimin e shefit të AKI-së për këtë skandal ndërkombëtar, për të cilin Qeveria e jonë nuk e thotë asnjë fjalë. Albin Kurti tashmë është pozicionuar kundër UÇK-së dhe Amerikës edhe si kryeministër”, ka shkruar Berisha në profilin e tij.
Për dallim nga kolegu i saj që mllefin e shprehu në Facebook, Musliu, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni, thirri konferencë për media.
“Pas raportimeve për planifikimin e ekzekutimit të Dick Martyt nga shërbimet sekrete serbe, si kryetare e komisionit kemi kërkuar nga AKI-ja të dimë se çfarë informacione ka ky institucion lidhur me rastin. Edhe pse ishin të ftuar të gjithë anëtarët kjo mbledhje u bojkotua nga VV-ja. Kam kërkuar të dijë nga drejtori i AKI-ja të dijë se a ka qenë në dijeni më herët lidhur me këto kërcënime ndaj Dick Martyt dhe se çfarë veprime ka ndërmarrë pas raportimeve”, tha ajo, duke shtuar se as presidentja dhe as kryeministri nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë çështje dhe se nuk janë të gatshëm për të mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, kryeministri Kurti në një konferencë për media dje foli për këtë rast dhe tha se do të bashkëpunojnë shtetin zviceran.