Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka njoftuar se përmes telefonit ka biseuar me vëllaun e ish-presidentit, Hashim Thaçi për ta ngushëlluar lidhur me vdekjen e Haxhi Thaçit.
Tutje, ai ka thënë se bisedimi me vëllaun e ish-presidentit, nuk e ka parë të arsyeshme që një gjë të tillë ta bëjë publike.
“Unë i kam marrë në telefon, nuk kam bërë mesazh publik. Kam marrë në telefon kryefamiljarin e tyre, dhe i kam shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për humbjen e të atit të tij të nderuar, dhe ata janë familje e nderuar”, tha Berisha mbrëmë në Syri TV.
Veprimin e Gjykatës Speciale, për të mos lejuar Thaçin të vijë në varrim, kreu i Partisë Demokratike e konsideron keqdashës.
“Kam ndjerë keqardhje që nuk i dhanë leje por nuk e gjykova të hyjë në debatin, sepse ishte veprim absolutisht pa asnjë bazë, dhe pa justifikuar, veprim keqdashës personal. Ti siç e prure me rojë për ta parë në spital po me roje sille për t’i dhënë lamtumirën e fundit. E prure në spital, lëre le ta përcjellë të atin, ka qenë president republike. Nuk e di ku e bazoi ajo gjykatë këtë veprim. Kam shprehur ngushëllime vëllait të Thaçit”, ka thënë Berisha më tutje.