Site icon PrishtinaPress

Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për të pavdekshmin Rexhep Ferri

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas vdekjes së akademik Rexhip Ferrin, duke thënë se ishte një nga piktorët më origjinal në pikturën e kombit shqiptar.

Berisha potencoi se Ferri, më moderni i plejadës së tij, ekspozoi me sukses të veçantë veprat e tij me personazhe nga Alpet të gdhendura në pëlhurë në galeritë me emër në Paris, Munich, Stamboll, Aleksandri, Sarajevë Beograd, Novi Sad, Ulqin, Prishtine Tiranë etj.

“Veprat e tij morën vlerësime të merituara në shtypin më në zë të këtyre vendeve”.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për të pavdekshmin Rexhep Ferri. Të dashur miq, kultura, artet pamore, letrat tona janë sot në dhimbje dhe zi. Rexhep Ferri një nga piktorët më të mëdhenj, më origjinal në pikturën e Kombit Shqiptar, por dhe shkrimtar, poet, publicist, akademik i shquar mbylli sytë përgjithmonë”, shkroi Berisha.

“Pasardhës i një familje me kontribute të shquara në historinë e krijimit të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, Rexhepi ishte një athdhetar i vërtetë. Ai shkruan se: “Atdheu cakton dhe përcakton hyrjen në jetë. Kjo dashuri e çmuar, me vetëdije, gjithmonë më ka shqetësuar dhe më ka mbajtur gjallë për ta dashur jetën”. Ndaj dhe Anton Pashku shkruante dikur se: “Rexhep Ferri kurrë nuk e ka pikturuar dhimbjen, por vetëm klithmën, e cila tërë pëlhurën apo vizatimin e shndërron në pikëpyetje, apo në thonjëza, në presje, apo në pikëçuditëse; por kurrë në pikë”. Pra vepra e Rexhep Ferrit ishte një thirrje që buronte nga thellësitë e shpirtit të tij plot pathos për t’jua përcjellë kohërave”.

“Ai nuk është më, por jeton dhe do jetojë në pavdeksinë e veprës së tij. Me këtë rast të trishtë shpreh mirënjohje të pakufishme për kontributin tejet te çmuar të Rexhep Ferrit dhe ngushellimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, të afërmëve dhe admiruesve të veprës së tij. Ngushëllime!”.

Exit mobile version