Site icon PrishtinaPress

Berisha dhe Meta garojnë së bashku në zgjedhjet lokale

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë në Shqipëri kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe ai PL-së, Ilir Meta thanë se në zgjedhjet lokale do të dalin me kandidatë të përbashkët për kryetar të komunave. Të njëjtit theksuan se ky është moment historik, siç thanë për rikthimin e demokracisë tek qytetarët.

Në konferencë për medie të enjten, Berisha tha se opozita do të fitojë Tiranën në zgjedhjet lokale.

“Këtë moment historik në zhvillimin politik të Shqipërisë, këtë moment që shënon marrëveshjen për betejën dhe fitoren e sigurtë të opozitës në Tiranë dhe në Shqipëri, këtë moment që çel rrugën për t’u dhënë qytetarëve të Tiranës qytetarin e parë që ata meritojnë, që pasqyron vlerat, shpirtin, virtytet dhe moralin e tyre dhe njëlloj për të gjitha qytetet e Shqipërisë. Për t’i dhënë Tiranës dhe qytetarëve të vendit parlamentet e vërteta të qytetarëve, përfaqësuesit dinjitozë të qytetarëve. Për t’i dhënë Tiranës një parlament të fuqishëm të kryesuar nga qytetarë dhe politikanë të sprovuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës… Me Z. Meta e kam garantuar se Partia Demokratike do të mbështesë fuqimisht nisëm referendare. Sot referendum dhe demokracia direkte është absolutisht dhe mbetet ndoshta mjeti më kryesor për të shëruar, për të rikthyer demokracinë në Shqipëri e cila është në agoni të plotë dhe ka zbritur nën nivelet e Kirgizikistanit”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se kjo është një ujdi parimore dhe që i shërben demokracisë.

“Është marrëveshja më parimore, që i shërben demokracisë. Referendumet, primaret, transparenca, llogaridhënia do të bëjnë të mundur të kemi një sovran që i ka të gjitha mjetet për të mbajtur në kontroll të gjithë ata që i delegon pushtetin…Marrëveshje historike, nuk do të shërbejë vetëm për rikthimin e pluralizmit në nivel bashkish. Dua të shpreh bindjen se kjo është një marrëveshje që garanton dhënien e fuqisë së munguar qytetarëve, pasi iu është marrë peng nga kapja e pushtetit nga qeveria lokale”, shtoi ai.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen me 14 maj të vitit 2023./Prishtinapress/

Exit mobile version