Site icon PrishtinaPress

Berisha: Anulimi i seancës i qëllimshëm për t’i ikur përgjegjësisë të skandalit “Zdravo” dhe të vajit

Dështimin e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, si pasojë e mungesës së kuorumit, AAK e konsideron si veprim të qëllimshëm nga Vetëvendosje për t’i ikur përgjegjësisë nga afera “Zdravo” dhe skandali korruptiv me rezerva shtetërore.

Kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se Kosova falë kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance është më e dobët në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Ai shtoi se Aleanca pret ndihmën e partive tjera opozitare por edhe nga deputetë të shumicës për t’i siguruar numrat për jetësimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Sipas Tahirit, referenca e punës së kësaj qeverie mbetet ura 12 metërshe e Saradranit, sepse siç tha, në aspektin zhvillimor qeveria ka dështuar.

Ndërkaq deputeti Bekë Berisha vlerësoi se skandali me blerjen e vajit tregon vetëm mendësinë e e mbrapshtë të Qeverisë Kurti.

“Rasti i skandalit të fundit me vajin, tregon mendësinë e kësaj Qeverie. E dini sa shumë është akuzuar një Qeveri më e hershme, duke i thënë se janë harxhuar rezervat shtetërore, në fakt ato janë zëvendësuar me artikuj tjerë me afat më të gjatë”.

“Çka na bënë të dimë se si funksionon kjo Qeveri? Në momentin kur janë duke folur me Listën Serbe, e zgjasin gishtin prej tjerëve, duke thënë se këta kanë folur ose janë takuar. Në momentin kur e zgjasin gishtin për rezervën shtetërore, i bie që këta janë duke vjedhur në rezervën shtetërore. Ky nuk është zëvendësim i produkteve, por është hajni e pastër. Kjo është mendësi e kësaj qeverie, dhe sa herë i shohim duke e zgjatur gishtin për një çështje të caktuar, duhet hulumtuar se janë duke vjedhur për atë çështje”, përfundoi Berisha.

Exit mobile version