Berat Lahu, asamblist i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, ka komentuar mbi video-incizimin e publikuar nga Gazeta Nacionale, në të cilin shfaqen Gëzim Sveçla, Egzon Azemi dhe Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës, të cilët përpiqeshin të bindnin atë dhe Edmond Azemin për të lëshuar seancën.
Ai e ka quajtur këtë një “shfaqje të shëmtuar”, e orkestruar nga dy figura të rëndësishme të qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë.
“Pas një kohë tashmë është i ditur qëndrimi im, të cilin ua kam komunikuar kolegëve asamblistë, edhe zotit Sveçla si shef i grupit që unë nuk pajtohna me strategjinë e mos marrjes pjesë në diskutimin për PZhK-në, sidomos në debatin. Po ashtu nuk pajtohna me strategjinë e pamundësimit që PZhK-ja të dalë në dëgjim publik”. – tha Lahu.
“Një shfaqje e shëmtuar, e inskenuar nga dy persona të rëndësishëm, me pozita të rëndësishme në VV që është Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi. Unë nuk e pranoj presionin. Por Presioni ka qenë ndaj kolegut Edmond Azemi i cili po ashtu ka qenë në seancë.” – tha ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.