Vetëm brenda pak ditëve, në Kosovë zbritën dy krerë të lartë politikë e ushtarakë të NATO-së.
Pikërisht në kohën kur diskutohej për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për vizitë zyrtare në Prishtinë erdhën sekretari i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg dhe Komandanti Suprem, Curtis Scaparrotti.
Që të dy theksuan se e ardhmja e FSK-së është çështje e brendshme e Prishtinës zyrtare dhe se pavarësisht kësaj, KFOR-i, sipas tyre, do të vazhdojë të kontribuojë për stabilitetin në rajon.
Por, këto deklarata ndryshe i interpreton shefi i deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri, raporton KTV.
Ai insiston se nga amerikanët u është thënë troç se FSK-ja nuk mund të bëhet ushtri pa pëlqimin e serbëve dhe pa ndryshimet kushtetuese, në të kundërtën, sipas tij, rrezikohet tërheqja e KFOR-it nga Kosova.
Por, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se i kuptoi ndryshe mesazhet e dhëna nga krerët e lartë të NATO-së.
Gjeneral Kastrati, i cili vetë kishte përgatitur strategjinë për transformimin e FSK-së në vitin 2014, ka potencuar se ekziston plani B për të ardhmen e kësaj force.
Madje, sipas tij, ky plan duhet bazuar vetëm në nenin 128 të Kushtetutës së Kosovës.
Kuvendi i Kosovës, 3 vjet pasi dështoi të bëjë ndryshimet Kushtetuese për t’ia ndërruar misionin FSK-së, zhvilloi një debat, nga i cili nxori vetëm një rezolutë.