0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Beogradi ripërtërin ilegalët në Kosovë, ky veprim po konsiderohet si shkelje e marrëveshjes së Brukselit

Qeveria e Serbisë i ka përtërirë të ashtuquajturat organe të përkohshme në komunat e Kosovës, përfshirë ato veriore, në të cilat është paralajmëruar të mbahen zgjedhje të reja pas verës. Veprimi i qeverisë serbe është kundërshtuar në Prishtinë duke e cilësuar shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit.

Serbia ka shkuar në drejtim të kundërt me atë që është dakorduar në takimet e fundit në Bruksel, në kuadër të shtensionimit të situatës në veri.

Derisa Kosova u pajtua që pas verës në veri të ketë një proces tjetër zgjedhor për t’i hapur rrugë rikthimit të serbëve në institucionet lokale, Beogradi zyrtar ka ripërtërirë strukturat ilegale.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, me vendime ekzekutive ka emëruar bartësit e ri të të ashtuquajturve autoritete të përkohshme komunale.

Krahas komunave në jug të Ibrit, Dalibor Millunoviq është emëruar në krye të komunës më veriore- atë të Leposaviqit.

Emërime të zyrtarëve në organet ilegale janë bërë edhe në Klinë, Fushë Kosovë e Podujevë.

Lidhur me këtë ka reaguar Blerim Vela, këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani, duke e cilësuar ndërmarrje në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.

“Lëvizja e fundit e Serbisë: Emërimi i zyrtarëve në organet ilegale komunale në Klinë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Leposaviq. Kjo është shkelje flagrante dhe mospërfillje e marrëveshjes së Brukselit dhe sovraniteti i Kosovës është shembull i agresionit institucional të aplikuar vetëm nga Rusia në Ukrainë”, ka shkruar Vela.

Pas dakordimit të proklamuar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, Beogradi zyrtar ende nuk ka dalë me qëndrim nëse do t’i lejojë serbët të marrin pjesë në zgjedhje.

Zgjedhjet e 23 prillit ishin bojkotuar nga shumica e tyre, pas thirrjeve të Listës Serbe.

Për pasojë, në krye të komunave veriore për herë të parë u zgjodhën kryetarë shqiptarë, veprim ky që nxiti protesta të dhunshme të serbëve në veri.

Pas një vizite në Shtetet e Bashkuara, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq tha se pa tërheqje të plotë të njësive speciale, dhe lirim të serbëve të arrestuar, “nuk ka kushte elementare për të diskutuar për zgjedhje”.

Analisti dhe gazetari, Branislav Kërstiq, thotë se pjesëmarrja ose jo e serbëve në zgjedhje është në vullnetin e Beogradit.

“Presidenti Vuçiq është ai që do të vendosë nëse serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e reja. Por ende ka presione të cilat jemi mësuar t’i shohim në të kaluarën si pasojë e politikës së Beogradit, që në veri të votohet vetëm Lista Serbe. Nëse do të ketë bojkot ose jo varet prej zhvillimeve që do t’i kemi në terren javët në vijim”, ka theksuar ai.

Zyrtarë të BE-së i kanë thënë “Kohës” javën e kaluar se presin pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e reja.

Pas disa javë tensionesh, Qeveria e Kosovës u pajtua që t’i tërheqë njësitë speciale përreth objekteve komunale në masën prej 25 për qind si dhe të nisin përgatitjet për zgjedhjet e reja pas verës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img