Ka më shumë se 6 muaj prej kur janë prezantuar shtesat për mjekët specializantë të cilët përqendrohen vetëm në sektorin publik. Megjithatë të njëjtat nuk janë ekzekutuar asnjëherë. Megjithëse kjo u vlerësua si stimulim i mirë nga njohësit e fushës, tash kritikohet pse ky vendim nuk është zbatuar edhe në praktikë.
Deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia e dhënë në muajin shkurt të këtij viti mbeti vetëm premtim.
Kjo pasi benefitet për mjekët specialistë që punojnë vetëm në sektorin publik asnjëherë nuk u realizuan.
“Si nismë është e mirë për shkak se do ta rris cilësinë dhe përkushtimin e mjekëve në sektorin shtetëror të vendit, por kjo duhet të përcillet me verpime konkrete që dmth ata që përkushtohen vetëm në sektorin publik duhet ta hetojnë dorën e shtetit në drejtim të beneficioneve materiale. Deri më sot këto beneficione materiale janë vetëm të deklaruara dhe ende nuk janë të ekzekutuara në praktikë”, ka thënë deputeti Shemsedin Dreshaj.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija thotë se asnjëherë nuk u qartësua pse nuk janë ekzekutuar shtesat.
Derisa konsideron se kjo nismë do të ishte dobiprurëse për institucionet shëndetësore.
“Jemi në një situatë ku mjekët me përvojë të gjatë po e lënë sektorin publik për të kaluar në sektorin privat, një pjesë e tyre pikërisht për shkak të pagave. Prandaj me rritjen e pagave me Ligjin e ri, poashtu dhe me kujdestaritë, me këtë stimulim, me këtë shtesë e cila jepet për mjekët të cilët punojnë vetëm në sektorin publik, mendoj që do të ishte një hap i mirë që mjekët me përvojë t’i ndalim në sektorin publik dhe të mos na ikin në sektorin privat”, ka deklaruar Vitija.
Por me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nuk po pajtohet Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Pasi vlerësohet se përbën diskriminim.
Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës tha s eky është vendim jo i duhur.
“Nga këndvështrimi ynë si FSSHK konsiderojmë se është vendim jo i duhur per disa arsye. Në lidhje me këtë kemi pasur edhe ankesa nga mjekët te cilët kanë vendosur të punojnë edhe në institucione private për faktin se ata e plotësojnë fondin e orëve. Prandaj edhe ne e konsiderojmë se është diskriminim brenda kolegëve!Është diskriminim edhe për faktin se kjo zgjedhje nuk ju është dhënë infermierëve”, ka deklaruar ajo.
Televizioni ka tentuar të marrë një sqarim nga Ministria e Shëndetësisë përkitazi me këtë temë, por që nuk janë përgjigjur./Teve