Site icon PrishtinaPress

Bekim Jashari u bën thirrje institucioneve: Ndërmerrni veprime konkrete që të mos përsëriten provokimet nga Serbia

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar në lidhje me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës, ndërkaq e ka quajtur shqetësuese dhe të papranueshme mos veprimin institucional.

Jashari përmes një postimi në Facebook ka thënë se është dashur që udhëheqësit e institucioneve të takohen për të marrë masa ndaj këtyre provokimeve të shtetit serb.

Në emër të komunës dhe si anëtarë i familjes Jashari ai u ka bërë thirrje institucioneve të vendit të ndërmarrin veprime konkrete dhe të mos lejojnë që këto provokime të përsëriten.

Postimi i plotë:

Shqetësuese dhe e pa pranueshme që ende nuk kemi asnjë veprim institucional ndaj hyrjes së xhandarmerisë serbe në Karaçevë.

Pas asaj që ka ndodhur një ditë me parë është dashur që udhëheqësit e institucioneve tona të takohen dhe të marrin masa ndaj provokimit që shteti serb po bënë ende në Kosovë.

Kosova është shtet i pavarur dhe institucionet tona e kanë për obligim që të ruajnë territorialitetin dhe sovranitetin e saj, prandaj për një rast të tillë duhet dhënë përgjegjësi institucionale.

Mijëra dëshmor e martirë, invalid e veteran dhanë jetën e sakrifikuan për lirinë tonë, të cilën duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, brenda territorit tonë shtetëror.

Si kryetar i Komunës së Skenderajt dhe si anëtar i familjes Jashari, i bëjë thirrje institucioneve tona që të marrin veprime konkrete ndaj asaj që ka ndodhur në Karaçevë dhe të mos lejojnë që të përsëriten provokime të tilla. 

Exit mobile version