0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Bekim Jashari reagon ashpër: Një veteran i UÇK-së, i vrarë pas lufte, u rivarros në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar për një fenomen që ai e ka konsideruar “turp që nuk na e falin asnjëherë dëshmorët”.

Jashari ka akuzuar kryetarin dhe nënkryetarin e Skenderajt se kanë varrosur një person të vrarë pas lufte në varrezat e dëshmorëve në Marinë.

“Në ditën e përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, derisa të gjithë festonim lirinë e pavarësinë që na e sollën dëshmorët e martirët tonë, kryetari aktual i Skenderajt, Fadil Nura e Nënkryetari Sami Lushtaku, kishin vendosur që të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë duke përdhosur dëshmorët, luftën dhe sakrificën e tyre sublime”, ka shkruar Jashari.

“Pa dijeninë e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, dhe as Institutit të Mjekësisë Ligjore, ata rivarrosen eshtrat e njërit prej veteranëve të UÇK-së, të vrarë pas luftës, pranë dëshmorëve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë”.

Ai thotë se pavarësisht se personi në fjalë ka qenë veteran i UÇK-së, është e papranueshme të varroset te varrezat e dëshmorëve në Marinë.

“Për informimin e drejtë të opinionit publik, personi të cilin pushteti aktual i Skenderajt e rivarrosi në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, ka qenë ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit në Kosovë, i njëjti fatkeqësisht ishte vrarë pas luftës dhe vrasja e tij nuk lidhet në asnjë formë me luftën tonë të shenjtë”.

Ish-kryetari i Skenderajt thotë se i është kërkuar edhe atij që personin në fjalë ta varrosin në varrezat e dëshmorëve sa ka qenë kryetar por që ai nuk ka pranuar.

“Në fillim të mandatit tim si kryetar i Komunës së Skenderajt, në vitin 2018, puna e parë që kam bërë ka qenë rivarrimi i dëshmorëve tonë, nga Polaci ku kishin mbetur varret e tyre në gjendje të mjerueshme, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, i cili me vite pas ndërtimit ishte neglizhuar nga ish qeverisjet e këtyre njerëzve të cilët nuk e kishin marrë iniciativën dhe përgjegjësinë që t’i rivarrosin dëshmorët tone”.

“Pasi rivarrosem shumicën e dëshmorëve nga Polaci dhe shumë fshatra të komunës sonë dhe komunave përreth, si kryetar i komunës jam ballafaquar me kërkesa të tilla për rivarrimin e veteranëve të UÇK-së të vdekur pas luftës, duke përfshirë edhe personin në fjalë, për të cilin më kishin kërkuar shumë individë, kryetar komunash, deputetë e deri tek ish Kryeministri Haradinaj, që të lejojë rivarrimin në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë”.

“Por jo, me gjithë respektin për secilin ish ushtar të UÇK-së, duke bartë barrën e rëndë që kemi si pasardhës të dëshmorëve e heronjve tonë, nuk mund të pranoja një gjë të tillë, sepse të krahasosh dëshmorin me jo dëshmorin është turp, është përdhosje e gjakut të atyre që na e sollën Lirinë e Pavarësinë tone”.

Jashari ka kërkuar nga organet kompetente të hetojnë rastin se si “është e mundur të ndodhë një rast i tillë në një kompleks të dëshmorëve i cili menaxhohet nga institucionet tona dhe fajtorët të dalin para drejtësisë”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img