Pas raportimeve në medie se që kompania Artmotion, pronë e familjes Devolli, ka shkuar aq larg sa ta kontestojë pranimin e Kosovës në UEFA, duke blerë të drejta sportive në Serbi, ka reaguar ashpër kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari. Ai i ka ftuar organet shtetërore që te marrin masa rreth ketij skandali.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas lajmit se biznesi i ri i korporatës Devolli, Artmotion, ka bërë një bashkëpunim me Radiotelevizionin e Serbisë dhe me Telekomin e Serbisë, në dëm të pavarësisë së Kosovës.
Gazeta Express ka raportuar sot Kompania Artmotion, përmes RTS’it dhe Telekomit të Serbisë, po blen të drejta televizive për Kosovë, duke e konsideruar shtetin e Kosovës si pjesë të shtetit serb.
Nëpërmjet një shkrimi, të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Jashari e ka quajtur të hidhur lajmin për marrëveshjen e Armotion me serbët.
“Jo më kot thuhet se liria është e shtrenjtë! Asnjë betejë nuk është e lehtë – e gjatë dhe e lodhshme ishte ajo e Kosovës për t’u bërë pjesë e UEFA-së dhe FIFA-së, në krye me të ndjerin Fadil Vokrri”, ka shkruar Jashari.
“I hidhur është lajmi i sotshëm, se ne vet, përveç që i hudhim përtokë të gjitha përpjekjet dhe të gjitha peripetitë e kësaj beteje, e vëmë shtetin e Kosovës si pjesë të shtetit serb, duke blerë të drejta televizive sportive të UEFA-së për Kosovë”, është shprehur ai.
“Merrni me mend, nga kush? Hiç më pak se nga Radio Televizioni i Serbisë! Si është e mundur që kjo të ndodh? Ftoj institucionet relevante të Republikës së Kosovës që të reagojnë duke dhënë përgjigjen e tyre të qartë ndaj kësaj çështjeje!”, përfundon shkrimi i Jasharit.