Në ditën e çlirimit të Skenderajt, kryetari i Komunës Bekim Jashari ka thënë se në Prekaz është investuar mbrapsht, pasi kullat i kanë lënë në gjendje shumë të rëndë.
Jashari tha se më shumë është investuar në fusha e varreza, ndërsa kullat janë lënë anash dhe janë në rrezik të shembjes.
“Nuk është që nuk është investuar, por është investuar mbrapsht. Pra është investuar në fushë, në varreza, dhe besoj që do ishte mirë të investohej tek kullat, pasi ato objekte janë në rrezik të shembjes. Mendoj që qeveria do të jetë më e kujdesshme dhe e shpejt në këtë drejtim, pasi ligji është bërë dhe në bazë të atij ligji parashihet çdo gjë. Të mblidhet komisioni me vendim të qeverisë dhe të vazhdoj aty ku ka mbet para një viti”, ka thënë Jashari.
Ai po ashtu tha se dëshmorët nuk ranë vetëm që të çlirohet vendi, por ata ranë që qytetarët të kenë një mirëqenie më të mirë
“Dëshmorët nuk ranë vetëm që të çlirohet vendi, por ata ranë që të qytetarët të kenë një mirëqenie të mirë e nga kjo jemi shumë larg, nga mos vullneti politik”, ka thënë Jashari.
Kryetari Jashari theksoi se për fat të mirë Kosova e ka ushtrinë e saj, edhe pse siç tha ai jo në nivelin që duan. “Për fat të mirë e kemi ushtrinë tonë, edhe pse jo në atë nivel që ne duam”, u shpreh tutje ai.
Ai foli edhe për tre rastet e reja të infektimi me virusin COVID-19, në Skenderaj.
“Tre raste kanë dalë mbrëmë. Dy kanë qenë më herët. Janë raste kontakti. Nuk ka vend për panik, pasi janë të vetë-izoluar dhe janë nën kontroll. Gjashtë janë shëruar, situata është nën kontroll”, ka thënë ndër të tjera, Bekim Jashari.
Jashari po ashtu tregoi se sot do të kenë disa aktivitete për nderë të Ditës së Çlirimit të Skenderajt./RTV Dukagjini/