1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Bekim Jashari mban premtimin, flet për pretendimet e Sami Lushtakut

Kryetari i Komunës së Skenderajt ka vendosur të flasë për siç shprehet, pretendimet e ish-të parit të kësaj komune Sami Lushtaku.

Bekim Jashari thotë se siç ka premtuar më herët, ka gjetur momentin e duhur tçë flasë në lidhje me këtë çështje.

Në një postim në Facebook, ai u është kundërpërgjigjur akuzave të mëhershme të Lushtakut se duhet më mirë që të merret me punët e komunës.

Jashari thotë se kyçja e tij në politikë, ishte e motivuar nga shumë rrethana, por, më së shumti kanë ndikuar zhvillimet në komunën e Skenderajt dhe kërkesat nga qytetarët, pa interesa politike.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Pas 3 muajve të situatës pandemike, me angazhimin tonë të përbashkët, me respektimin e masave parandaluese dhe me kontributin e madh të donatorëve kemi arritur që deri me tani të menaxhojmë më sukses këtë pandemi.

Ashtu siç kam premtuar, pas interesimit të mediave e qytetarëve, në këtë momentum më të përshtatshëm, kam vendosur që të flas për pretendimet e Sami Lushtakut.

Kjo deklaratë nuk ka të bëj me fushatën, sepse ajo do të filloj në tremujorin e fundit në vitin 2021, andaj, nuk do të ndalem në vërejtjet që janë bërë ndaj punës time, as angazhimit tim në udhëheqje të komunës së Skenderajt.

Në këtë rast nuk do të lëshohem të flas për ngjarjet e vitit 1992, as për vitin 1993, as për vitin 1996 e 1998 në mërgim.

Nuk do të flas për ngjarjet në vitin e çlirimit, 1999.

Nuk do të flas për vitet gjatë luftës, për betejat, për bizneset apo për blerjet e patundshmërive gjatë luftës dhe pasluftës. Jo, nuk do të flas as për fondet e dedikuara për luftën apo për pushtetin lokal si është udhëhequr më herët, apo për gjendjen se si e kam gjetur komunën, as për borxhet e mëdha të bartura nder vite.

As për kompanitë private dhe konfliktin e interesit nuk do të flas. Për jetësimin e amanetit të dëshmorëve dhe shumë ndodhi që lidhen me ta, nuk do të flas duke qenë edhe vet dhe shumë të tjerë dëshmitar të gjallë të këtyre fakteve.

Qytetari i Skenderajt pret diçka tjetër nga unë, të punoj e veprojë si një pasardhës i denjë i Jasharajve, atyre Jasharajve që u bënë themel i lirisë dhe shtetit të Kosovës.

Andaj, edhe unë, si shumë familjarë të dëshmorëve, e çmojmë lirinë, por kurrë nuk e keqpërdorim për interesa personale e grupore.

Unë kam qenë dhe jam falënderues ndaj secilit që nderon familjen time Jashari. Gjithsesi, duke nderuar Familjen Jashari, secili më nderon edhe mua por në rend të parë e nderon veten dhe historinë tonë të lavdishme.

Por, dua të theksoj se, që nga koha ende pa i mbushur 18 vjet, kam dëshmuar të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim si të gjithë pjesëtarët tjerë të familjes, prej Babës Shaban e deri tek Blerina 7 vjeç, andaj, nuk do të ndalem këtu.

Kyçja ime në politikë, ishte e motivuar nga shumë rrethana, por, më së shumti kanë ndikuar zhvillimet në komunën tonë dhe kërkesa nga qytetarët e zakonshëm, pa interesa politike.

Skenderaj ka merituar qeverisje më të mirë, pas sakrificës madhore të qytetarëve të komunës tonë.

Kërkesat nga qytetarët por edhe vërejtjet e tyre, i kam dëgjuar për më shumë se dhjetë vjet. Ishte koha të veproja.

Angazhimin tim në politikë, si duket, disa edhe nuk e mirëpriten.

Me keqardhje por do t’i dëshpëroj të gjithë ata që mendojnë se një mandat i imi ishte rastësi. Nuk ishte rastësi.

Nevojat e qytetarëve nuk janë rastësi.

Unë nuk do të ndalem të jem në shërbim të qytetarëve, vullnetit të sinqertë të tyre për të mirat që ata i presin pa dallim nga pushteti lokal, në çdo cep të komunës.

Shërbimi dhe përkushtimi ndaj qytetarëve është detyrim ligjor, moral, kombëtar, i vazhdueshëm dhe i pandalshëm.

Në situatën e krijuar, të tendencës për t’u ballafaquar politikisht, pa fushatë, unë nuk shpreh as miratim, as gatishmërinë më të vogël, sepse, kam punë më të mençura dhe qytetarët presin nga unë diçka tjetër.

Dy projektet për të cilat z. Lushtaku synon të kthehet në krye të komunës, moti kanë marrë rrugë, janë duke u realizuar dhe theksoj se nuk ka nevojë ta bart atë dert.

Të dyja do të realizohen.

Në fakt jam duke i realizuar edhe shumë projekte tjera që nga keq-qeverisja janë stërzgjatur me vite dhe projekte të reja që qytetari i sheh dhe i prek çdo ditë.

Dy projekte madhore, Ujëmbledhësi i Kuqicës, edhe Banesat e dedikuara për familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, do të realizohen.

Këto dy arsye, janë të pamjaftueshme për të vënë në sprovë, ndjenjat e qytetarëve të Skenderajt, sepse, jemi në vitin 2020, ato është dashur të realizohen në vitet e para pas çlirimit të vendit tonë.

Qytetarëve të Skenderajt ende u mungon uji dhe kanë nevoja të shumta.

Këto nevoja të qytetarëve nuk ishin brengë për ata që fuqizonin kompanitë personale.

Prandaj, të gjithë qytetarëve që presin frytet e punës time dhe bashkëpunëtorëve të mi, ne u themi se nuk do të ndalemi.

Do t’i realizojmë pritshmëritë e tyre, duke ecur edhe më tej përpara, të palodhshëm.

Barazia, ndjenja dhe zbatimi i barazisë, është një nga motivet e pandalshme që shtyn secilin anëtar të Jasharajve. I tillë jam edhe unë.

Muajt shpejt do të kalojnë dhe secili do ta zërë vendin që ia cakton qytetari, aleati im besnik, në rrugën time politike.

Në këtë rrugë, jo vetëm nga mundësitë e mia, por edhe me përkrahjen e bashkëpunëtorëve, qytetarëve dhe të Familjes, e pata shumë të lehtë ta bëj dallimin në mes të qeverisjes së mirë dhe keqqeverisjes.
Andaj, deri në tremujorin e katërt të vitit 2021, fjalorit të garës politike, nuk do t’i jap shumë hapësirë, për shkak të detyrave në shërbim të ligjit dhe qytetarit.

Qytetari pret kushte më të mira për jetë, të ardhme më të mirë dhe zbatim të ligjit pa dallim.

Ata që nuk e patën ndjenjën as përgjegjësinë për këto pritje të qytetarëve, unë nuk mund t’i ndihmoj, madje as të humb kohë më tej.

Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me qytetarë, i di shumë mirë problemet e sfidat e qytetarëve të komunës sime. Për çdo punë që bëjë jam shume transparent dhe qytetarët njoftohen me kohë.

Të bashkuar, me sinqeritet, angazhim maksimal, respektim të ligjit, qeverisje të mirë e transparente do të arrijmë mirëqenien e përgjithshme.

Vazhdojmë bashkë!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img