Mbrojtja e luftës së drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit tonë është obligim i secilit qytetarë dhe kjo kërkon unifikim i të gjithë spektrit politik dhe secilit qytetarë sepse vetëm të bashkuar mund ta fitojmë edhe këtë betejë.
Ky ishte mesazhi i familjes Jashari në akademi përkujtimore të organizuar për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të familjes Jashari të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuar Bekim Jashari, i cili tha se Epopeja e UÇK-së na kujton historinë e lavdishme popullit tonë, luftën e shumë brezave që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
“Shtetin që krijuam fal tyre që nuk kursyen as jetën, tani e kemi amanet që ta duam e ta zhvillojmë në mënyrë që të rinjtë tanë dhe gjeneratat që vinë të gjejnë perspektiven dhe të ardhmen e tyre në Kosovë. Është një breng që nga paslufta ikja e të rinjve tonë nga Kosova. Është betejë që nuk guxojmë ta humbim, është amanet nga të parët tanë që kjo tokë e mbushur me gjak të frymoj shqip, që të rinjtë tanë të rriten e edukohen në vendin e baballarëve të tyre, që pavarësisht përndjekjeve që kishin nga pushteti i egër i ish-Jugosllavisë nuk e braktisen asnjëherë tokën e të parëve tyre“, tha ai, shkruan KosovaPress.
Jashari shtoi se institucionet tona me mbështetjen e secilit nga ne ta ndalin ikjen e të rinjve përmes punësimit.
“Luftën që fituam me gjak nuk guxojmë ta humbim assesi sot në tavolinë, andaj mbrojtja e luftës së drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetësisë sonë, është obligim i secilit nga ne. Kjo kërkon unifikim të gjithë spektrit politik dhe secilit nga ne sepse vetëm të bashkuar mund ta fitojmë edhe këtë betejë, ashtu siç e fituam dje”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se kur nisën manifestimet e sivjetshme të “Epopesë së UÇK-së”, në kazermën “Adem Jashari”, ushtarët e FSK-së shtinë në ajër 24 plumba, tre sosh për nder të komandantit Adem Jashari dhe nga tre prej të shtatë pushkëve për të shtatë Zonat Operative të UÇK-së.
Ai tha se krismat e pushkëve të Jasharëve të Prekazit u shumëzuan me numrin e ushtarëve të UÇK-së, duke u shumëfishuar dhe dhënë për rezultat krismat edhe më të mëdha të armëve të aleatëve tanë që janë bashkuar në luftë për çlirimin e Kosovës përmes ndërhyrjes së NATO-s.
Kryeministri, në akademinë përkujtimore në 25-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së tha se rezistenca e familjes Jashari më 5,6 dhe 7 mars i vitit 1998 ishte akti kulmor në dramën me shumë akte të përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
“Në skenën e historisë moderne të Kosovës, komandanti Adem Jashari nuk pati vetëm rol kyç, por ai ishte edhe autori edhe aktori i asaj shfaqje lufte të lavdishme që ia solli lirinë Kosovës. Deri te Epopeja e 5,6 dhe 7 marsit 1998 Adem Jashari erdhi pasi ishte përgatitur dhe stërvitur gjithë jetën, duke e shkruar dhe luajtur vetë rolin e tij historik. Kur u armatos, u stërvit dhe e nisi luftën, ai nuk priti askë dhe nga askush t’i jepte rol në historinë e shqiptarëve, sepse ai e krijoi dhe e jetoi vetë rolin e tij si Kryekomandanti i të gjithë çlirimtarëve të Kosovës dhe i çdo përpjekje për liri…Por ky nuk ishte rasti me Adem Jasharin. Me ndërgjegjen e tij aq të thellë për nevojën që të luftohej për lirinë e Kosovës, ai na e dha shembullin më fisnik si individ dhe si frymë për luftëtarët e UÇK-së, për nivelet e larta që mund të arrijë vetëdija e një populli për liri”, tha Kurti.
Ai nënvizoi se Adem Jashari është gjallë në jetët e secilit prej atyre që vendosin të ndjekin rrugën e të njëjtave ideale sikurse ai.
“Besatimi i Adem Jasharit për liri, se vetëm një vdekje e tjetër s’ka në këtë jetë, i solli atij vdekjen më fisnike, si i rënë dëshmor për liri, e që i dha Adem Jasharit frymë të pavdekshme mes të gjallëve, sepse “Ai është gjallë” edhe sot. Adem Jashari është gjallë në kujtimet e atyre që patën fatin ta kenë në familje, në përvojat e atyre që e shoqëruan teksa printe në luftime, në mësimet e atyre që studiojnë për të nga historia dhe në jetët e secilit prej atyre që vendosin të ndjekin rrugën e të njëjtave ideale sikurse ai.”, tha tutje kryeministri Kurti.
Ndërsa, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari u shpreh se Epopeja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është pjesë e historisë shekullore kombëtare.
“Prekazi nga ajo ditë e tutje është bërë pjesë e kujtesës sonë historike jo vetëm për..por edhe në radhët e para për shkak se ideali i lirisë së shqiptarëve i kishte thirrur ata, Jsharajt dhe të tjerët në skenën e historisë. Edhe sot pas 25-vjetësh të Epopesë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prekazi vizitohet nga miliona shqiptarë, pa marrë parasysh a i ishin me luftën çlirimtare të UÇK-së apo ishin kundër saj”, tha ai.
Ndërkaq, historiani Durim Avdullahu u shpreh se është thënë shumë herë se historia e familjes Jashari është unikale në gjithë historinë dhe kjo është e vërtetë.
“Me rezistencën e 5,6,7 dhe 7 marsit 1998 dhe me gjithë aktivitetin e bërë për liri, Adem Jashari, Hamza dhe gjithë familja e Shaban Jasharit, i ka dhënë historisë një shembull të patëdytë se deri ku mund ta qoj qenien njerëzore vetia autentike për liri”, tha ai.
Në fund të akademisë përkujtimore organizuar për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, umbajt edhe një koncert i Orkestrës së Filharmonisë dhe FSK-së.