Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë ka dështuar të dërgojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, pasi deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka lëshuar mbledhjen si rezultat i pakënaqësisë së tij për mungesën e një dëgjimi publik.
Kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli, tha se do të kërkojnë nga ministria draftimin e një ligji të ri, pasi ka shumë probleme dhe gjëra që duhet të ndryshohen.
Porse ishte deputeti Haxhiu që përsëriti disa herë kërkesën e tij që fillimisht të ketë një dëgjim publik.
Ai tha se është për heqjen e homologimit për veturat e reja, porse theksoi se para se të miratohet një ligj duhet të ketë dëgjim publik.
Ai tha se ka një shpërputhje edhe në opinionin e Zyrës së Kryeministrit, për çka theksoi se është mirë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje të fitojë kohë, ndërkohë që merr edhe opinionet e ekspertëve.
“Jam për heqjen e homologimit, porse një ligj i tillë të bëhet pa pasur dëgjim publik nuk përmbush anën ligjore. Kështu që do të ishte mirë të organizohet një dëgjim publik, të merren parasysh edhe vërejtjet dhe sugjerimet para se të shkojë në Kuvend. Nuk ka ndodhur që një ligj të miratohet pa një dëgjim publik. Jam që të largohet homologimi për vetura të reja, porse për veturat të cilat shtetet e BE-së i vlerësojnë për eksport por nuk i lejojnë të qarkullojnë në vendin e tyre, mendoj se duhet t’i dëgjojmë ekspertët. Opinioni i qeverisë është në shpërputhje me atë këtu, pasi opinioni i Zyrës së Kryeministrit është që të hiqet homologimi për veturat e reja dhe jo edhe për ato të përdorura”, u shpreh ai.
Përkundër kësaj, kryetarja e komisionit e hodhi në votim ndryshimet në këtë projektligj, ndërsa deputeti Haxhiu lëshoi sallën, gjë që pamundësoi dërgimin e tij në Kuvend.