Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, thotë se kryeministri Albin Kurti u ka bërë presion deputetëve të VV’së për të mos votuar projektligjin që mundëson tërheqjen e 30 për qind të Trustit. Por, ai tha se nuk heq dorë nga kjo ide.
“Me u tërheq prej idesë është me ua pamundësuar qytetarëve me i tërheq mjetet prej Trustit”, tha Haxhiu.
“Gjatë këtyre muajve kam qenë zëri i qytetarëve sa i përket kërkesës për Trustin dhe s’kam asnjë arsye me u tërheq. Por nëse e kanë për bajrak, le ta marrin bajrakun, në Kuvend edhe ashtu i kanë numrat”, tha ai.
Haxhiu tha se opozita është unike dhe pro tërheqjes së 30 për qind nga Trusti Pensional i Kosovës.
“E gjithë opozita është pro. E tha sot edhe Avdullah Hoti. Grupi Parlamentar i LDK’së, AAK’së, e PDK’së janë pro, janë unik si opozitë në këtë nismë ligjore. Edhe minoritetet janë pro”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu tha se ka biseduar me deputetë të VV’së por se ta janë kushtëzuar dhe prandaj kundërshtojnë këtë mundësi.
“Unë kam biseduar edhe me deputetë të VV’së që janë deklaruar pro. Ka presion ndaj tyre se u ka thënë Albin Kurti: “A me mua a me Kamishin”, shpjegoi ai në emisionin Pressing në T7. U ka thënë se nëse e votoni Trustin ju largoj prej qeverisë”, theksoi ai.