Site icon PrishtinaPress

Bekim Haxhiu ka dy gjëra për t’i sqaruar ministrit Uran Ismajlit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar në lidhje me deklarimet e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili ka thënë se problemi i ikjes së personelit shëndetësor nuk është i menjëhershëm dhe se ata kanë bërë plane afatgjata për këtë largim, duke pasur një ofertë shumë më të mirë jashtë vendit. Haxhiu ka thënë se ky është një deklarim i paqëndrueshëm, i pa matur, sepse të gjithë profesionistët shëndetësorë u përgatitën që të shërbejnë në vendin e tyre. Po ashtu deputeti Haxhiu ka komentuar edhe vënien e gurthemelit të ndërtesës së Klinikës së Mjekësisë Sportive dhe Terapisë Fizikale me Rehabilitim, duke kritikuar ministrin Ismajli për mos ftesë të Prof.Dr. Enver Haxhiun dhe një familjar të Dr. Bashkim Islamit që sipas Haxhiut këta vendosën themelet e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim dhe të Mjekësisë Sportive.

Lexoni shkrimin e plotë të deputetit Haxhiu:

Sot bëra përpjekje që të përmbahem e të mos të deklarohem, por thjeshtë ministri i partisë sime më detyroi t’ia sqaroj dy gjëra:

1. Deklarimi i ministrit Uran Ismajli se: “Problemi i ikjes së personelit shëndetësor nuk është i menjëhershëm. Ata kanë bërë plane afatgjata për këtë largim, duke pasur një ofertë shumë më të mirë jashtë vendit”, është një deklarim i paqëndrueshëm, i pa matur, sepse të gjithë profesionistët shëndetësorë u përgatitën që të shërbejnë në vendin e tyre, por ishte Ministria e Shëndetësisë ajo e cila nuk kishte asnjë lloj strategjie kadrovike për të ruajtur dhe mbajtur në Kosovë personelin shëndetësor. MSH as sot nuk po arrin të ketë strategji kadrovike dhe nuk po arrin të siguroj kushtet elementare për punën e personelit shëndetësorë, dhe kjo është arsyeja kryesore pse ata sot po e braktisin Kosovën.
2. I nderuar ministër, ju sot i vutë gurthemelin ndërtesës së Klinikës së Mjekësisë Sportive dhe Terapisë Fizikale me Rehabilitim. Urime!
Ministër i nderuar, sot gurthemelin e Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim do të duhej ta bënit së bashku me Prof.Dr. Enver Haxhiun dhe një familjar të Dr. Bashkim Islamit të cilët vendosën themelet e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim dhe të Mjekësisë Sportive.
Respekt dhe mirënjohje e pafund për kampionen tonë Majlinda Kelmendin, të cilën ministri e përdori në një aktivitet të MSH, e do të duhej që ajo të angazhohej në aktivitetet dhe gurthemelet e MKRS-së.
Sot, ministri i Shëndetësisë ia ka huq në tërësi edhe me gurthemel edhe me deklarim.
Por nuk i vë faj ministrit Uran Ismaili për këto lëshime dhe të tjera, sepse ai nuk ka pasur si të dijë për Dr. Enver Haxhiun e Dr. Bashkim Islamin, për shkak se nuk e njeh historikun e mjekësisë e as personelin shëndetësorë, por këshilltarët e tij nga fusha e mjekësisë do të duhej ta dinin dhe mos të lejonin gabime të këtilla.
Krejt në fund dua të falënderoj ish drejtorin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, z. Shkelzen Rexhaj dhe drejtoreshën e Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehalitim, Prof.Dr. Hajrie Hondozi-Hysenaj me të cilën kam bashkëpunuar për projektimin, dizajnimin, sigurimin e buxhetit për ndërtimin e klinikës së përbashkët të Mjekësisë Sportive dhe Terapisë Fizikale me Rehabilitim, e cila ishte një punë dhe angazhim disa vjeçar i yni deri te fillimi i punimeve ku planifikohet të themelohet edhe Agjensioni Anti Doping.
Prandaj, sot dua të falënderoj drejtorin e ShSKUK-së, Dr. Bastri Sejdiu, ish drejtorin Dr. Curr Gjocaj dhe drejtorin aktual të QKMS Dr. Adem Nuraj, ish drejtorin Shkelzen Rexhaj dhe Prof Dr. Hajrie Hondozi Hysenaj, të cilët u angazhuan për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm.
Dhe krejt në fund, i nderuar ministër po ta jap një këshill miqësore, merruni më shumë me zgjidhje të problemeve në shëndetësi, duke ofruar sa më shumë profesionist afër vetes, duke çmuar profesionistët shëndetësor dhe mos humbë kohë me veprime ‘kozmetike’ koti e deklarime të pa analizuara mirë./Prishtinapress.eu 

Exit mobile version