Të turpshme e ka quajtur mungesën e një përmendoreje të Komandantit Legjendar Adem Jasharit në kryeqytetin e Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu.
Ai ka deklaruar se është turp për kryeqytetin që edhe 19 vjet pas luftës Prishtina nuk e ka një përmendore të komandantit legjendar Adem Jashari.
Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ali Lajçi ka thënë se është koha e fundit që kryeqyteti të vendos një përmendore të komandantit Adem Jashari.
“Sot kemi një hero kombëtar Adem Jasharin, të cilat grupe të klanit e të tjera shpesh disa e konsiderojnë si të vetin rajonal, regjional, madje të katundit dhe nuk e ka një monument. Shikoni, ne ishim dhe çdo kush në Prekaz din çka kemi, din çfarë kushtesh dhe si është bërë memoriali atje, din edhe çfarë donacionesh kanë hyrë, e dimë edhe sot në çfarë gjendje është objekti i Adem Jasharit, si vlerë e rezistencës historike të armatosur. Por, sot nuk e kemi një monument të tij në qendër të Prishtinës, e që duhet faktikisht ta kemi sa ma shpejt, sepse ashtu kompleton edhe gjithë synimet e tij, edhe luftën e tij, e cila faktikisht ka qenë në nivel të Kosovës. Prandaj, sot nuk e kemi as në Prekaz siç duhet, por se kemi as në qendër të kryeqytetit të Kosovës. Propozojë që monumenti i Adem Jasharit të jetë në qendër të Prishtinës”, tha ai.
Këto komente deputetët i kanë bërë gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017.