Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në një takim pune Lordin Stuart Peach, i ngarkuar i posaçëm i Qeverisë Britanike për Ballkanin Perëndimor, që shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith.
Presidenti Begaj vlerësoi në këtë takim rolin aktiv dhe pozitiv që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po mban në Procesin e Berlinit dhe ndaj zhvillimeve më të fundit në Kosovë.
Begaj nënvizoi se Procesi i Berlinit po luan një rol të jashtëzakonshëm në përgatitjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Sipas një komunikate të Presidencës, duke ritheksuar qëndrimin e tij mbështetës ndaj dialogut Kosovë-Serbi, presidenti Begaj dhe Lordi Peach shkëmbyen ide dhe mendime mbi kapërcimin e situatës së shkaktuar nga sulmi terrorist serb në Banjskë në 24 shtator.