Ish ministri i Financave, Bedri Hamza, në emisionin “Pressing” të t7 ka folur për gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë.
Ai tha se “qytetarët janë varfëruar në masë të madhe”.
“Kur e shikojmë standardin e qytearëve të Kosovës, ne e dimë që qytetarët tonë janë të një shtresë ku pjesën më të madhe të shportës së konsumit e përbëjnë produktet dhe artikujt bazikë, që dmth qytetarët e Kosovës janë varfëruar në masë të madhe”, tha Hamza.
I pari i Mitrovicës tha se vlera e pagave është më e vogël.
“Qytetarët e Kosovës nominalisht i marrin të njëjtat paga, por realisht pagat e tyre kanë vlerë më të vogël. Ndoshta sot nuk mundesh me ble artikuj me 150 euro sa ke blerë para dy-tri vjetëve me 100 euro”, tha Hamza.
Ai tha se “tash po kërkohet një minimum i ruajtjes së vlerës reale të parasë”.
Kujtojmë që sipas ASK-së, inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, ka arritur në 13 për qind. Kjo rritje e inflacionit përkthehet me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë këtë vit. Ndërsa, në krahasim me korrikun 2022, inflacioni në gusht u rrit për 0.2 për qind. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 13.0% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin gusht 2021.