Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës me numrin 131, Bedri Hamza, ka thënë para veteranëve të dielën se do t’i rrisë për 50 për qind në muajt e parë të mandatit të tij pensionet për veteranët, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së.
“Ky është premtimi im për ju: Një Kosovë ku shteti është shtyllë e drejtësisë, zhvillimi ekonomik dhe dinjitetit për çdo qytetar. Një Kosovë ku askush nuk ndihet i lënë pas dore. Prandaj, ne angazhohemi për ju, për familjet tuaja dhe të gjithë qytetarët tanë. Përkrahja për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së do të rritet për 50 për qind në muajt e parë të mandatit të qeverisë të udhehequr nga unë dhe PDK-ja. Familjarët e dëshmorëve nuk do të detyrohen me zgjedh mes pensionit të dëshmorit apo dëshmorit dhe moshës, sepse e garanton ligji”, tha ndër të tjera Hamza.
“Veteranët më nuk do të kenë kufizime, por do të kenë mundësi të punojnë dhe të marrin të ardhura mujore nga shteti. Nuk përfundon me kaq, ne do të rrisim të ardhurat për çdo ushtar të Kosovës, për çdo polic, që shumica prej tyre janë edhe bashkëluftëtarë tuaj. Janë pasardhës të idealeve tuaja”, shtoi tutje kandidati për kryeministër.
“Ju jeni ata që keni ndriçuar rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Sot jemi këtu për dy arsye: E para është mirënjohja dhe respekti i thellë për ju. Në emër të çdo qytetari të Kosovës, ju falënderoj për guximin tuaj, për sakrificën tuaj dhe fitoren e madhe, kapitullin e lavdisë që e keni shkruar në historinë tonë. Historia jonë nuk mund të rishkruhet. E përsëris: Nuk mund të rishkruhet nga askush. Ju nuk luftuat vetëm për pragun e shtëpisë, por për drejtësi, barazi dhe dinjitet për të githë qytetarët e vendit.
Ju qëndroni si shtyllë e shtetit që e kemi sot. Asnjë luftëtar i lirisë kurrë nuk do të jetë vetë, as këtu as në Hagë. Besojmë fuqishëm që shumë shpejt, festave tona do t’i shtohet hjeshia edhe me presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacën Jakup, Rexhën dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tyre”, tha Hamza.