Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) para dy ditësh ka certifikuar rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.
Pas shpalljes së rezultateve vërehet se shumica e partive fituese nuk kanë numrin e mjaftueshëm të asamblistëve në kuvende komunale, kësisoj ato detyrohen të lidhin koalicione për të arritur votat e mjaftueshme në asamble komunale.
Bedri Hamza (PDK), i cili fitoi Komunën e Mitrovicës që në raundin e parë më 17 tetor, deklaroi për Telegrafin se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike për koalicione.
“Nuk është shumë problematike për me arritë atë shumicën minimale të thjeshtë për të qeverisur në asamble komunale, jam i interesuar për një koalicion pak ma të gjerë që më pas stabilitet politik, që ne të mundemi të kryejmë punë pa vonesa dhe jam i hapur për diskutime me partitë tjera”, ka thënë ai.
Hamza shtoi tutje se PDK kishte pasur koalicion parazgjedhor me disa parti që tashmë kanë fituar nga një vend në asamblenë komunale të Mitrovicë.
“Ne kemi pasur një koalicion parazgjedhor me disa parti që kanë fituar nga një vend në asamblenë komunale dhe pres që këto ditë të ulëm të bisedoj edhe me subjektet tjera politike. Ne do të ulemi dhe do të bisedojmë se ku do të jenë interesat tona, sigurisht ato kanë interes që të jenë pjesë e ekzekutivit e qeverisjes edhe do të bisedojmë”, tha mes tjerash ai.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës ka 14 asamblistë, Lëvizja Vetëvendosje 11 asamblistë, Lidhja Demokratike e Kosovës 6 asamblistë, Forca e Diasporës 1 asamblist, Aleanca Kosova e Re 1 asamblistë, Partia e Drejtësisë 1 asamblistë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 1 asamblistë.