Më 28 prill, artistja shqiptare me famë globale Bebe Rexha, do të publikojë albumin e saj më të ri me titull “Bebe”.
Ky njëherësh është albumi i tretë në karrierën e saj, pas dy albumeve të mëparshme “Better Mistakes” (2021) dhe “Expectations” (2018) të cilët kanë pasur shumë sukses.
Pjesë e albumit “Bebe” janë tri bashkëpunime, njëri super hiti “I’m Good (Blue)” me David Guettan i cili u publikua vitin e kaluar, një tjetër me ikonën e muzikës’ country’, Dolly Parton dhe i treti me reperin e famshëm amerikan, Snoop Dogg.
“Satellite” do të quhet bashkëpunimi me këtë të fundit, i cili do të publikohet më datë 20 prill.
Këtë e ka bërë të ditur vet artistja me origjinë shqiptare përmes postimeve në rrjetet sociale.
Në një video të publikuar në TikTok ku shihet bashkë me reperin, ajo madje shkruan se as nuk i besohet që do të publikojë një këngë me Snoop Dogg.
Deri më tani, Bebe Rexha ka publikuar tri këngë nga ky album: “Call On Me”, “Heart Wants What It Wants” dhe “I’m Good (Blue)”.