BE jep në dispozicion fonde për sfera të ndryshme për shkak se procesi aderues ka të bëjë me zbatimin e reformave që do të thotë edhe harmonizim jo vetëm të ligjeve por edhe të standardeve me ato të BE-së.
BE ofron përkrahje prej rreth 100 milionë eurove në nivel vjetor, si ndihmë të jashtëzakonshme si përkrahje makrofinanciare dhe 80 milionë euro për pakon energjetike. Korniza e re financiare e IPA 3 filloi në 2021 ndërsa do të zgjasë deri në 2027, por për momentin ende po zbatohen projekte të IPA 2. Megjithatë, me vite të tëra po parashtrohet pyetja sa ka kapacitet vendi ynë për t’i shfrytëzuar këto mjete.
“Në IPA 1 arritëm që të shfrytëzojmë rreth 75%, në IPA 2 kemi sfida gjatë zbatimit, ja për shembull një krahasim me programin IPARD, aty kishim përqindje shumë të dobët të shfrytëzimit të IPA 1. Rreth 18%, tani është kah fundi zbatimi i IPARD 2, tashmë kemi shfrytëzim më të mirë, mendoj se shteti ynë është kampion në procesin e shfrytëzimit të IPARD 2 krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Evgenija Kirkovski, SEP.
Në cilët sektorë dhe projekte janë drejtuar mjetet e fondeve IPA sipas numrit të aplikimeve, Kirkovski tha se më shpesh bëhet fjalë për sektorët e drejtësisë, do të thotë në drejtësi dhe jurisprudencë, reformat në administratën publike, menaxhimin me financat publike, ekologjinë, ndërsa po punohet edhe për shumë projekte të tjera. Për shembull e tillë është përkrahja buxhetore për sektorin energjetik.
“Tani morëm, me shumë gjasa e dini, 80 milionë euro si përkrahje buxhetore për sektorin energjetik me mjetet e IPA 3, nga programi i 2023. Të ndihmohen njerëzit e kategorive të rrezikuara që të munden t’i paguajnë shpenzimet për energji elektrike, të vendosin sisteme efikase energjetike për flladitje, ngrohje, të ndihmohen bizneset e vogla dhe të mesme që kanë probleme me likuiditetin e tyre për shkak të shpenzimeve të rritura për energji elektrike”, pohoi Evgenija Kirkovski, SEP.
Ekologjia është sektor ku BE përkushton më shumë vëmendje. Kapitulli 27 i jurisprudencës europiane patjetër do të jetë sfida e madhe për vendin tonë për shkak se kjo nuk do të thotë vetëm ndryshim të shumë ligjeve por përfshin edhe një numër të madh investimesh.
“Të ndërtohen qendra rajonale për përpunim të mbeturinave, të ndërtohen stacione për filtrimin e ujërave të zeza, të mbyllen deponitë ilegale, të ulet ndotja e ajrit, të vendosen tarifa të reja për ujë që do ta mundësojnë funksionimin e këtyre stacioneve për filtrim por edhe të qendrave rajonale. Të mbrohet biodiversiteti, natyra në shtet”, tha Evgenija Kirkovski, SEP.
Pjesë e madhe e ndihmës shkon edhe në sferën e bujqësisë, përmes programit IPARD. Nëse në të kaluarën nuk shfrytëzohej aq shumë kjo ndihmë, tani Maqedonia është në majin e vendeve të Ballkanit. Drejtori i Agjencisë për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, Nikica Baçovski thotë se është kah fundi zbatimi i IPARD 2 ndërsa tashmë po përgatiten për IPARD 3.
“Buxheti i përgjithshëm që e kishim në dispozicion nga BE, ishte 60 milionë euro dhe i njëjti është shfrytëzuar tërësisht, u lidhën mbi 2.360 marrëveshje, që do të thotë se puna shkon mirë për shfrytëzimin e mjeteve të IPARD 2. Në periudhën e ardhshme në IPARD 3 do të kemi buxhet edhe më të madh, përkatësisht nga 60 milionë mjete europiane shkojmë në 97 milionë euro”, theksoi Nikica Baçovski, drejtor i APFBZHR.
Pjesa më e madhe e aplikimeve kanë të bëjnë me modernizimin e mekanizimit bujqësor, sistemeve për ujitje, rritjen e mbjellave të reja, pajisje për fermat, për bletarinë, madje edhe për zhvillimin e turizmit rural. Në çdo fshatë të shtetit kemi shfrytëzues, gjë që kontribuon për gjallërimin e zonave rurale, tha Baçovski.
“Para se gjithash, ndihma ka të bëjë me modernizimin e mekanizimit bujqësor, që ishte i vjetërsuar, ajo që na gëzon më së shumti janë kapacitetet e reja për përpunim ose modernizim të kapaciteteve ekzistuese. Kemi shumë bodrume vere të modernizuara, bodrume vere të reja, qumështore të modernizuara, qumështore të reja, që është aspekt i rëndësishëm i programit dhe përkrahje që u ofrohet bizneseve në zonat rurale, sidomos masa për turizmin rural në zonat që janë destinacione turistike në aspekt rural”, nënvizoi Nikica Baçovski, drejtor i APFBZHR.
Baçovski shtoi se pjesë e madhe e personave që aplikojnë janë persona fizike por nuk është i vogël edhe numri i kompanive që aplikojnë për këtë ndihmë./PrishtinaPress/