Zëdhënësi për politikë të jashtme në Bashkimin Evropian, Peter Stano ka konfirmuar takimin e nesërm në Bruksel, ku emisari Lajçak do të takojë kryenegociatorin e Kosovës dhe atë të Serbisë.
Të dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Stano përmes një njoftimi ka thënë se konteksti i takimit do të jetë pikërisht dialogu me fokus te zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës.
Kujtojmë se më 10 korrik zv. kryeministri Bislimi kishte arritur marrëveshje për hapat e parë drejt deeskalimit e ku përfshihej edhe tërheqja e një pjese të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në komunat veriore.
Pos takimit në nivel kryenegociatorësh, Lajçak dhe Bislimi të hënën e kaluar kanë rënë dakord edhe për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.