Site icon PrishtinaPress

BE kërkon nga Serbia të mos i madhërojë kriminelët e luftës

Bashkimi Evropian ua tërhoqi vërejtjen liderëve politikë dhe fetarë në Serbi që të mos i madhërojnë, siç tha, kriminelët e luftës. Reagimi vjen pas lajmit se Kisha Ortodokse Serbe dekoroi Vojisllav Sheshelin – i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.

“Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, për gazetarët në Bruksel.

“Qëndrimi i BE-së është i qartë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm dhe madhërim të kriminelëve të luftës – gjëra që janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane”, tha Pisonero.

Ajo shtoi se nga udhëheqësit fetarë pritet që të punojnë drejt pajtimit dhe tejkalimit të ndasive nga e kaluara.

“Prijësit fetarë dhe bashkësitë fetare kanë, po ashtu, përgjegjësi që të dëshmojnë lidership në përpjekjet për tejkalimin e trashëgimisë së vështirë nga e kaluara, si dhe të ndërtojnë në mënyrë konstruktive mirëbesim të ndërsjellë, tolerancë dhe dialog”, tha Pisonero.

Sheshelit iu dha urdhri “Ipeshkvi i Shenjtë Mardari” nga një dioqezë e Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka selinë në Çikago.

Çmimi iu dorëzua të dielën nga peshkopi Irinej i Baçkës, njoftoi Partia Radikale Serbe e Sheshlit.

Kjo është hera e tretë që Kisha Ortodokse Serbe i ndan çmime Sheshelit.

Sheshel, udhëheqës i Partisë Radikale Serbe, u dënua në vitin 2018 me dhjetë vjet burgim nga Tribunali i Hagës për, siç është thënë, nxitje të persekutimit, dëbimit, zhvendosjes dhe transferimit të detyruar të kroatëve nga fshati Hërtkovci në Vojvodinë, më 1992.

Sheshel u la i lirë në Serbi, pasi kishte qëndruar në paraburgim në Hagë nga viti 2003 deri më 2014. /Rel

Exit mobile version