Site icon PrishtinaPress

BE-ja u shpreh skeptike, por Ambasada britanike mbështet procesin e Vettingut

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka mirëpritur nisjen e punimeve për ndryshimet kushtetuese lidhur me procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim nga Ambasada britanike, pas takimit të parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut që u mbajt dje.

Ambasada britanike ka theksuar se e mbështesin një proces të tillë dhe do të vazhdojnë të jenë partner i Qeverisë së Kosovës.

“Mirëpresim takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për të nisur punën për ndryshimet kushtetuese në lidhje me procesin e Vettingut. Ne e kemi mbështetur nismën që nga fillimi dhe do të vazhdojmë të jemi partner për Qeverinë ndërsa ata ecin përpara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.

Për dallim nga birtanikët, Bashkimi Evropian është shprehur skeptikë sa i përket Vettingut.

Në raportin e BE-së për Kosovën të publikuar ditë më parë, thuhet se “Qeveria e re është duke konsideruar disa opsione për procesin e ‘vettingut” dhe sipas raportit ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse”.

Ndryshe dje në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, kryeministri Albin Kurti tha se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.

Kurti theksoi se ka nevojë për gjyqtarë të drejtë e efikas dhe prokurorë me integritet.

Në anën tjetër ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se Vettingu është çelësi për një sistem të drejtësisë ku do kenë qasje të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

Exit mobile version