Site icon PrishtinaPress

BE-ja rikonfirmon takimin e së enjtes mes kryenegociatorëve në Bruksel, fokusi te normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka rikonfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net zyra për media e BE-së.

Zëdhënësi për media i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se fokusi do të jetë te hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të konfirmojmë se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të presë një takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog”, thuhet në përgjigjen për Reporteri.net.

Gjatë ditës së djeshme, Besnik Bislimi po ashtu ka konfirmuar se në Bruksel s’ka më negociata, pasi tani është faza e zbatimit të marrëveshjeve.

“Në Bruksel nuk ka më kompromise, kanë përfunduar. Jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve e jo negociimit. Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në plotëni”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Kosovës dy ditë më parë tha se me Bislimin ka diskutuar për çështjet urgjente të pazgjidhura që kanë të bëjnë me dialogun.

Objektiv, Lajçak tha se ishte vendosja e bazave për një takim të ardhshëm mes dy kryenegociatorëve.

Ai bëri të ditur se ka propozuar një agjendë për takim të ardhshëm, ku fokusi do të jetën “arritja e përparimit të menjëhershëm në zbatimin e Marrëveshjes dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për situatën sfiduese në Veri”.

Exit mobile version