Site icon PrishtinaPress

BE-ja po përcjell 42 rastet e shënjestruara të korrupsionit, Tahiri thotë se vizat mund të hiqen më 2019

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri ka bërë të ditur se aktualisht janë 42 raste të shënjestruara të korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat janë duke u përcjellë vazhdimisht nga Bashkimi Evropian (BE).

Ai është shprehur i bindur se institucioni që ai drejton ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE sa i përket lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

“Aktualisht janë 42 raste të cilat përcjellën në vazhdimësi. Një pjesë e tyre janë me vendim të formës së prerë që ka përfunduar gjykimi i tyre, një pjesë janë në ngritje të aktakuzave, një pjesë janë vetëm në fazën e hetimeve dhe të gjitha këto monitorohen nga Bashkimi Evropian”.

Tahiri është i bindur se deri në fund të këtij viti, eventualisht në fillim të vitit 2019, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.

“Si ministër i Drejtësisë jam përgjegjës për hartimin e politikave dhe ligjeve që ndërlidhen me fushën e drejtësisë edhe në fushën që e zbatojnë ligjin. Kemi raportuar në detaje për angazhimin tonë dhe unë pres në fund të këtij muaji pres një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian që qytetarët tanë nga fundi i këtij viti eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen”.

Kreu i MD-së ka kërkuar angazhim të shtuar nga vartësitë e tij, në trajtimin e të gjitha rasteve, jo vetëm atyre të shënjestruar.

“Ne presim një avancim dhe angazhim më të madh të gjyqësorit dhe prokurorisë që aktualisht po ndodh prej tyre në kuadër të këtyre rasteve mirëpo jo vetëm këto 42 raste po edhe janë shumë raste të tjera që nuk janë pjesë e këtij mekanizmi e që ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit”, tha ai per Ekonomia O.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha ai duhet të jetë permanente, në mënyrë që përveç që të shkohet përpara me proceset integruese, të fuqizohen institucionet kundrejt dukurive negative.

“Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është permanente nuk ndërlidhet me një proces, ndërlidhet tani me liberalizimin e vizave mirëpo do të ketë edhe procese tejet të rëndësishme në të ardhmen dhe ne nuk do të ndalemi në asnjë rrethanë”, përfundoi Tahiri.

Exit mobile version