Vendet e Bashkimit Evropian e kanë pranuar të martën se mund të dështojnë ta furnizojnë Ukrainën me municionin që ia kishin premtuar për ta luftuar pushtimin rus dhe për ta çliruar territorin e vet të uzurpuar.
Në fillim të këtij viti, liderët e BE-së u zotuan se do t’ia dërgonin frontit të Ukrainës një milion copë municion deri në pranverë të vitit 2024. Kjo do të nënkuptonte rritje të jashtëzakonshme të prodhimit. Por, blloku i përbërë nga 27 vende, thotë tani se e ka të vështirë ta një gjë të tillë.
“Shifra një milion nuk do të arrihet, duhet ta hamendësojmë këtë”, tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistrius, para një takimi të ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Be-së në Bruksel.
Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur, tha se është jetike rritja e furnizimit me municion.
“Shikojeni Rusinë. Ata po prodhojnë sot më shumë se kurrë më parë. Ata po marrin predha nga Koreja e Veriut. Evropa nuk mund të thotë…’Rusia dhe Koreja e Veriut mund ta bëjnë e ne nuk mundemi”, tha ai.
Rreth 300.000 copë municion i janë dërguar asaj nga depot ekzistuese të BE-së deri më tani.
Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Andris Spruds, nguli këmbë se caku fillestar nuk duhet të merret si diçka e saktë.
“Epo, natyrisht, një milion copë janë simbolike. Mendoj se të rëndësishme janë aspirata dhe ambicia”, tha ai.
Në fushëbetejë, megjithatë, prania e municionit është gjëja e vetme që ka rëndësi.
Në luftën e Ukrainës me Rusinë, predhat e artilerisë 155mm luajnë rol vendimtar. Harxhimi i 6.000 deri në 7.000 predhave në ditë tregon për rëndësinë strategjike të tyre.
Nëse i merr një milion copa municion të tillë, Ukraina do ta siguronte stabilitetin për të paktën gjashtë muaj, sipas ekspertëve.
Komisionari i BE-së, Thierry Breton, nguli këmbë se industria e prodhimit mund ta arrijë cakun e një milioni copash municion.
“Por, tani u takon shteteve anëtare t’i bëjnë porositë”, theksoi ai.
Megjithatë, shtetet anëtare i fajësuan prodhuesit.
“Të gjithë ne kemi nënshkruar kontratat. Ne e kemi bërë prokurimin e përbashkët. Prandaj, industria duhet ta kryejë punën. I duhet ta përshpejtojë punën për të prodhuar më shumë”, tha ministrja e Mbrojtjes e Holandës, Kajsa Ollongren. /REL/