Bashkimi Evropian është në dijeni të votës së Serbisë kundër Kosovës në nisje të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por zëdhënësit e saj nuk ishin në gjendje të konstatojnë nëse ajo përbën shkelje të marrëveshjes.
I pyetur për votën kundër, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, u kujdes të sqarojë se Këshilli i Evropës nuk është institucion i BE-së.
“Këshilli i Evropës është organizatë krejt tjetër nga Bashkimi Evropian ose nga Këshilli Evropian. Kjo vetëm për t’u siguruar që kuptohet drejt në rajon. Pra, Këshilli i Evropës është organizatë e pavarur që luan rol qendror në promovimin vlerave dhe standardeve fondamentale evropiane, përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Lidhur me votën, ne jemi në dijeni të asaj vote”, tha Stano.
Zëdhënësi i BE-së nuk pati përgjigje të qartë, përkundër përsëritjes së pyetjes.
“Ky ishte testi i parë, relativisht i lehtë, për këtë marrëveshje – nëse është ende gjallë dhe në lëvizje. Citoj nenin 4, nëse është korrekt: Serbia nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Serbia sapo e bëri këtë, kështu që a dënoni këtë apo vetëm keni marrë shënim? A është marrëveshja ende aty?”, tha Stephan Israel, gazetar.
Këmbëngulja e gazetarëve për të marrë përgjigje po ose jo, për atë se a përbën shkelje të marrëveshjes vota kundër – nuk u pëlqeu zyrtarëve të BE-së.
“Ne tashmë patëm këtë pyetje dhe Peter u përgjigj. Kështu që do ta mbyllë këtë, nëse nuk keni pyetje tjetër”, tha zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
Përgjigje të qartë, në formë kërkese, zëdhënësit e BE-së patën lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Themelimi i Asociacionit ose Bashkësisë është nevojë urgjente. Ky është zotim i marrë nga pala kosovare në marrëveshjet e kaluara. Të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, kjo është ritheksuar edhe në marrëveshjen e Ohrit. Qëndrimi ynë është shumë i qartë, duhet të bëhet. Ne jemi të lumtur të vazhdojmë punën si lehtësues në rrugën për ta themeluar atë. Nuk kemi nevojë të përfshihemi në shkëmbime publike për modalitetet çka duhet të bëhet dhe si, por duhet të bëhet. Mënyra se si do të bëhet mund të diskutohet dhe ne jemi këtu për të ndihmuar”, tha Stano.
Presidentja Vjosa Osmani akuzoi Serbinë për shkelje të marrëveshjes me votën dhe lobimin kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale, të dielën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, do të takohen më 2 Maj, në Bruksel, me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. /atv