0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

BE-ja me standarde të dyfishta: Për Kosovën thanë se shkeli marrëveshjen e dialogut, Serbisë s’i tërhiqet vërejtja

Vendimi i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, për shkarkimin e Ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka nxjerrë në pah ‘anshmërinë’ e Bashkimit Evropian.

Kjo pasi që ky vendim u cilësua nga BE-ja si shkelje e marrëveshjes për dialogun, por kështu nuk u pa edhe vota e Serbisë kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të enjten se roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet, prandaj, sipas BE-së, vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shkarkuar atë është në kundërshtim me marrëveshjen.

Por Stano njëjtë nuk deklaroi për shkeljen e marrëveshjes së Ohrit, me rastin e votimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe kërcënimi ndaj atyre që votuan në favor të Kosovës.

Ai pavarësisht insistimit në pyetje, kishte refuzuar të përgjigjet konkretisht nëse BE-ja e konsideron këtë veprim të Serbisë shkelje të marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, duke thënë se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” për votën kundër.

Këto deklarata të zëdhënësit të BE-së kanë ngjallur reagime të shumta, duke vënë ngritur pyetje nëse edhe Serbisë do t’i tërhiqet vërejtja për shkelje të marrëveshjes.

Çfarë thanë nga Qeveria pas deklaratave të Stanos?

Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi i është kundërpërgjigjur deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kadiu në një postim në Facebook të enjten ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra Ekipin Menaxhues që ditë më parë prezantoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, shkroi Kadiu.

Ai tutje tha se zëdhënësi Peter Stano duhet ta ketë “gatishmërinë e njëjtë, kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes’, duke përmendur votën kundër të Serbisë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ekipi Menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shkroi ai.

Reagimi nga Zyra e Presidencës

Ndaj deklaratave të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se Kosova ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, ka reaguar edhe Blerim Vela, shefi i stafit në kabindetin e presidents Vjosa Osmani.

Vela përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Tëitter, i është drejtuar Stanos fillimisht me fjalët: “Hej, z.Stano”.

“Hej z.Stano, a do të dënoni edhe emërimet e organeve ilegale të përkohshme komunale në Kosovë nga qeveria e Serbisë? Kjo është një shkelje e qartë e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit pasi Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale në Kosovë.” – ka thënë ai.

Tutje, Vela ka pyetur: “Apo do ta shënoni edhe këtë?”.

Kujtojmë se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 3 maj ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues.

Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për më tepër, Kurti tha se koordinatorja e këtij ekipi, Danijella Vujiçiq, “është në konflikt interesi”, sepse ajo ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img