Site icon PrishtinaPress

BE-ja kritikon Kuvendin që ndryshoi Ligjin për Zyrtarët Publikë pa i trajtuar këshillat e saj

Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur keqardhje me vendimin e Kuvendit të Kosovës, deputetët e të cilit dje miratuan Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë (LPO) në leximin e dytë.

Në reagim, BE-ja thotë se nuk janë marrë parasysh këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja ka dhënë gjatë procesit të hartimit për ta harmonizuar atë me parimet e meritës dhe standardet e BE-së.

Përveç kësaj, BE-ja thotë se ligji nuk i trajton rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023 në mënyrë adekuate dhe rrezikon të dalë kundër tyre.

“Shqetësimet tona kryesore, që janë ngritur në opinione të ndryshme të BE-së për këtë ligj, kanë të bëjnë me ndryshimet që janë bërë në pozitat udhëheqëse në shërbimin civil, duke e lejuar përkohësinë dhe jostabilitetin përmes përcaktimit të mandateve të kufizuara në kohë dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat udhëheqëse, në vend të sigurisë dhe parashikueshmërisë në karrierën e shërbyesve civilë të nevojshëm për profesionalizimin e tij. Për më tepër, ai lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij”, thotë BE-ja në këtë reagim.

Gjithashtu, Zyra e BE-së në Kosovë shpreh keqardhje edhe me faktin se, siç thotë, “të gjitha ndryshimet e tilla të Ligjit i janë dorëzuar Parlamentit pa konsultime paraprake publike”.

“Reforma e Administratës Publike është pjesë esenciale e rrugës së Kosovës drejt BE-së. Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformës, Kosova është zotuar ta zhvillojë një administratë publike profesionale, efikase dhe llogaridhënëse për ta sjellë Kosovën më afër BE-së dhe për të mirën e qytetarëve”.

“Për këto arsye, ne presim që Kosova t’i përmbushë këto zotime dhe ta ketë një kornizë legjislative që është në përputhje me standardet e BE-së”, u tha në këtë reagim.

Exit mobile version