Site icon PrishtinaPress

BE-ja kërkon të hiqen barrikadat: Të rivendoset menjëherë liria e lëvizjes

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të hiqen barrikadat në veri të Kosovës.

BE-ja ka thënë se liria e lëvizjes në Kosovë duhet të kthehet menjëherë dhe pa kushte e të garantohet “liri e plotë dhe e papenguar e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, përfshirë edhe liderët fetarë”, raporton RTS.

BE-ja ka përsëritur sërish se “kërkon nga dyja palët që të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet që rrjedhin nga dialogu”.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm sulmet ndaj EULEX-it, KFOR-it e Policisë së Kosovës dhe bën thirrje për përmbajtje maksimale dhe veprim të menjëhershëm për shtensionim të pakushtëzuar të situatës, e cila përfshinë përmbajtjen nga veprimet provokuese, kërcënimet apo frikësimet”, ka thënë zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Masrali, raporton televizioni serb “RTS”.

BE-ja thotë se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Ajo ka bërë thirrje për respektim të sundimit të ligjit dhe ka thënë se nuk do të tolerohet asnjë formë e dhunës.

“BE-ja i bën thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti që personalisht të kontribuojnë në një zgjidhje politike në mënyrë që të qetësohen tensionet dhe të bien dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve. BE-ja i mbështet në mënyrë aktive këto përpjekje. Presim nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen përkushtimit për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim në të mirë të qytetarëve të tyre, që përfshin edhe mbrojtjen e popullatës serbe në veri të Kosovës”, thuhet nga Masrali.

BE-ja ka thënë se përpjekjet për të arritur një marrëveshje për heqje të barrikadave do të vazhdojnë dhe i ka bërë thirrje dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë./Prishtinapress/

Exit mobile version