2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

BE-ja kërcënon Serbinë me pezullim të liberalizimit të vizave

Komisionarja e për Punë të Brendshme e bllokut evropian, Ylva Johanson, tha se nuk përjashtohet mundësia që Bashkimi Evropian të pezullojë liberalizimin e vizave për Serbinë. Kjo për shkak të rritjes së madhe të emigrantëve që shkojnë në BE përmes Serbisë.

Për rritjen e numrit të emigrantëve përmes asaj që njihet si “Rruga Ballkanike” janë duke diskutuar ministrat e brendshëm të shteteve të BE-së në Luksemburg.

Në rastin e Serbisë, si problem serioz theksohet mospërshtatja e regjimit të vizave me atë të BE-së. Serbia u lejon hyrjen pa viza në territorin e saj qytetarëve të disa shteteve të treta, të cilët më pas vazhdojnë udhëtimin drejt territorit të BE-së.

“Shpresoj se Serbia dhe partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor do të bashkëpunojnë me ne dhe do të përshtatin regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së. Por, në këtë moment kjo nuk është diçka që mund të përjashtohet”, tha komisionarja Johanson në prag të takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së.

Ajo nënvizoi në veçanti faktin se qytetarët nga Kuba Burundi, India dhe vendet tjera vijnë në numër më të madh në BE përmes Ballkanit, dhe shtoi se me këtë çështje duhet të merren të gjithë.

“Ajo që bën Komisioni Evropian, e në këtë drejtim do të punojë edhe më shumë, është që mesazhi të arrijë deri te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor se na duhet përshtatje e regjimit të vizave, në mënyrë që të ndalet vala e atyre që vijnë pa viza në Ballkan dhe vazhdojnë drejt BE-së”, tha komisionarja Johanson.

Për çështjen e rritjes së numrit të migrantëve që shkojnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor, foli edhe ministri i Brendshëm i Çekisë, Vit Rakushan.

Vendi i tij, aktualisht po kryeson Presidencën e BE-së.

“Po shoh numër gjithnjë e më të madh të emigrantëve të cilët në BE po vijnë përmes ‘Rrugës së Ballkanit Perëndimor’ dhe ne po i shohim pasojat në secilin kënd të BE-së”, tha Rakushan.

Ministri çek po ashtu tregoi se në nëntë muajt e parë të këtij viti, në BE përmes Ballkanit Perëndimor, kanë shkuar mbi 106 emigrantë ilegalë.

Bashkimi Evropian mund të aktivizojë mekanizmat e pezullimit të vizave në rast se vlerëson se ekziston rrezik nga emigrimi masiv.

Ndryshe, Austria, Hungaria dhe Serbia së bashku do të forcojnë kontrollin kufitar me Maqedoninë e Veriut për të ndalur rritjen e numrit të emigrantëve drejt Bashkimit Evropian, u tha pas një takimi të përfaqësuesve të tri vendeve më 6 tetor në Beograd.

Gjithashtu është konfirmuar se një nga masat e para do të jetë përshtatja e politikës së vizave të Serbisë me BE-në.

Serbia ka fituar liberalizimin e vizave me BE-në në vitin 2009./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img