Pavarësisht që Bashkimi Evropian, në 60-vjetorin e themelimit të tij, përballet me mjaft sfida brenda për brenda, megjithatë, historia e këtyre gjashtë dekadave tregon se Bashkimi Evropian është projekti më i madh dhe më i suksesshëm i paqes dhe zhvillimit ekonomik, vlerësojnë njohësit e integrimeve Evropiane në Kosovë.
Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të kuptuar suksesin e projektit të quajtur Bashkimi Evropian, duhet hedhur shikimin në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.
“Për më pak se 31 vjet në kontinentin e Evropës kanë ndodhur dy luftëra botërore, të cilat i kanë shkaktuar rreth 70 milionë viktima. Që nga krijimi i Bashkimit Evropian e deri më sot, nuk ka pasur asnjë viktimë, në kontinentin evropian, si rezultat i luftërave midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”.
“Kjo e vërteton atë që Bashkimi Evropian është projekti më i madh paqësor në botë. Sa i përket aspektit ekonomik, Bashkimi Evropian e po ashtu shtetet e BE-së, kontinenti i Evropës, kanë qenë plotësisht të shkatërruara nga lufta, ndërsa sot paraqesin 32 për qind të GDP-së (Bruto Prodhimi i Brendshëm) në nivel bote. Kjo përqindje në nivel bote, nënkupton fuqinë më të madhe ekonomike në botë”, thotë Mazreku.
Projekti i quajtur Bashkimi Evropian i ka tejkaluar pritjet që kanë qenë synim fillestar, vlerëson në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane.
Objektivi që Bashkimi Evropian të jetë një organizatë ekonomike, sipas tij, është përmbyllur suksesshëm për një periudhë të shkurtër në Evropën perëndimore, duke i rritur synimet që nga një organizatë ekonomike, Bashkimi Evropian të transformohet në një organizatë që merr edhe kompetencat e karakterit politik, ngjyrime të cilat edhe i ka marrë në vitin 1992.
Me traktatin e fundit, të Lisbonës, në vitin 2009, siç thotë profesor Ujkani, Bashkimi Evropian ka sqaruar pretendimin e tij, që në të drejtën ndërkombëtare njihet si subjektivitetet juridik.
“Se sa këto arritje përputhen me objektivat fillestar të saj dhe a janë të gatshme që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe qytetarët evropianë, a pajtohen me një qasje të tillë, mendoj se këto janë sfida dhe pikëpyetje që duhet dhe tashmë kanë filluar të adresohen”.
“BE-ja duhet ta definojë veten qartë – sepse nuk e besoj që është e definuar shumë mirë dhe qartë – për të marrë ingerencat përfundimtare të një federate, ashtu siç është synuar nga pjesë e shteteve anëtare, ose duhet të vazhdojë të mbetet një organizatë e karakterit vetëm ekonomik, ku shtetet bashkohen për interesa të karakterit ekonomik”, vlerëson Ujkani.
Ndeshja e këtyre dy qasjeve, sipas profesor Ujkanit, ka sjellë rritjen e atyre që janë të pakënaqur me një qasje të tillë në integrimin në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, profesor Mazreku shpreh mendimin se shtetet e Evropës kanë kaluar sfidat e ndryshme, por në raport me integrimin evropian dhe idenë e Evropës së bashkuar, pas çdo krize, Bashkimi Evropian, përkatësisht, konteksti integrues i tij, ka dalë më i fuqishëm.
Por, në cilën pjesë të rrugës drejt integrimeve evropiane gjendet Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor?
Profesor Mazreku thotë se kjo identifikohet me shkallën e vullnetit politik të lidershipit të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën.
“Për aq sa lidershipi i këtyre vendeve ka gatishmëri që t’i bëjë parësore interesat e vendeve të tyre, të cilat ata i udhëheqin, si dhe t’i reduktojë ose minimizojë interesat e tyre individuale, aq e shpejtë do të jetë rruga e zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të pambyllura, si dhe aq e shpejtë do të jetë rruga e anëtarësimit të këtyre shteteve në Bashkimin Evropian”, thekson Mazreku.
Por, profesor Ujkani, shpreh mendimin se pavarëisht hamendjeve që vendet anëtare të BE-së mund të kenë në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetë fakti që në mënyrë të vazhdueshme financojnë dhe investojnë për ngritjen e kapaciteteve të këtyre vendeve, që ato të jenë të gatshme për të qenë konkurruese në tregun e përbashkët, jep shpresë që këto vende, në të ardhmen, do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Në ide e tillë, sipas tij është edhe i ashtuquajturi “Tregu ballkanik”.
“Mund të shikohet si një lloj faze paraprake, para se të arrihet te vetë integrimi i brendshëm. Në njëfarë forme, BE-ja u ka premtuar këtyre vendeve se do të anëtarësohen në BE, kur t’i plotësojnë kriteret. Mirëpo, në anën tjetër, tash BE-ja nuk është në gjendje për t’i përmbushur këto premtime të veta, për arsye të brendshme që i ka, ose krizën e brendshme politike. Prandaj, ofrohen alternativa të reja që do të jenë, në një farë forme, një lloj qasjeje paraprake, para se të arrihet tek ajo që mund të jetë përfundimtare, anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, sqaron Ujkani.
Sidoqoftë, me gjithë problemet që ka brenda Bashkimit Evropian, Kosova deri më tash asnjëherë nuk ka treguar shenja skepticizmi për integrimin e saj në këtë familje të madhe të vendeve evropiane.