Site icon PrishtinaPress

BE-ja e shqetësuar me Projektligjin për Zyrtarët Publikë: Rregullime të tilla s`ka asnjë vend i BE-së

Projektligji për Zyrtarët Publikë është kritikuar nga Bashkimi Evropian. Zyra e BE-së në Prishtinë ka vlerësuar se ky projektligj e cenon dhe e politizon shërbimin civil. Përmes disa komenteve, BE-ja ka kërkuar nga deputetët ndryshimin e disa neneve të projektligjit.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë është shprehur e shqetësuar me Projektligjin për Zyrtarët Publikë, i cili në parim është miratuar më 9 dhjetor në Kuvendin e Kosovës. BE-ja ka vlerësuar se Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë.

Në komentet që kjo zyre ia ka dërguar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 14 dhjetor, është thënë se Qeveria ka përfshirë vetëm disa rekomandime të tyre.

Sipas tyre, në projektligj nuk janë përfshirë komentet e BE-së dhe SIGMA-s në memorandumin shpjegues dhe nuk është arsyetuar devijimi nga këshillat e dhëna.

Në komentet e kësaj zyre, që i ka siguruar gazeta Nacionale, adresohen një sërë çështjes si shumë shqetësuese. Aty iu rekomandohet fuqishëm deputetëve të Kosovës që gjatë leximit të dytë të projektligjit të merren parasysh këto komente, të cilat kanë për synimin ngritjen e një administrate profesionale.

Sipas komenteve, projektligji duhet të përafrohet më mirë me parimet e një administrate publike moderne në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë angazhimin për një administratë publike të bazuar në meritë, të depolitizuar dhe profesionale.

“Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë, i aftë për të tërhequr dhe ruajtur kandidatë profesionistë. Projektligji shton diskrecionin e tepruar në rekrutimin, transferimin dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil të cenueshëm dhe në rrezik më të madh politizimi dhe korrupsioni”, thuhet në komentet e BE-së.

Shqetësimet e BE-së kanë të bëjnë me fushën e zbatimit të ligjit, mandatin e pozitave të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues, procedurën e rekrutimit të këtyre pozitave, mungesën e përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për pozita të larta drejtuese dhe rekrutimin e decentralizuar.

Mandati i pozitave te nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues

Shqetësimi kryesor i Zyrës së BE-së me këtë projektligj ka të bëj më mandatin e pozitave te nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratë. Projektligji parasheh që këto pozita, të cilat aktualisht janë të përhershme, të bëhen me mandat 4-vjeçar.

Sipas BE-së, mandatimi i këtyre pozitave nuk do të zgjidh asnjë problem të administratës.

“Hartuesi i ligjit ka zhvilluar rregullime që nuk gjenden në asnjë nga vendet e BE/OBZHE, dhe që janë të pazakonta edhe për sektorin privat. Kjo është për një sërë arsyesh të mira. Asnjë administratë nuk i ndërpret marrëdhënien e punës një udhëheqësi njësie me performancë të mirë vetëm sepse duhet t’u ofrohet një mundësi kandidatëve të tjerë, potencialisht më të mirë. Futja e mandateve nuk do të adresojë asnjë nga problemet kryesore me të cilat përballet administrata e Kosovës, ndërsa do të krijojë destabilitet dhe pasiguri”, është thënë në komente e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Kjo, sipas BE-së, do të jetë një eksperiment i rrezikshëm për administratën.

“Kjo kufizon atraktivitetin e pozitave drejtuese në shërbimin civil për kandidatët e jashtëm. Pjesëmarrja në procedura të shumta rekrutimi do të përbëjë gjithashtu një barrë shtesë për drejtuesit. Ushtruesi i detyrës do të bëhen normë pasi rekrutimi mund të shpallet vetëm kur të jetë hapur një pozitë e lirë. Ne rekomandojmë fuqishëm kundër nisjes së një eksperimenti të tillë nga Kosova”, thuhet në dokumentin e BE-së.

Si problematike shihet edhe nisja e procedurave të rekrutimit për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues një vit pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji. “Kjo dispozitë do të ishte e pranueshme nëse Kosova vetëm tani do të prezantonte emërimet e bazuara në meritë në pozita drejtuese dhe të kishte pasur emërime plotësisht diskrecionale më parë, por nuk është kështu. Hedhja e dyshimeve për kompetencat e të gjithë drejtuesve aktualë dhe detyrimi i tyre për t’iu nënshtruar një procedure të re rekrutimi, dërgon një sinjal të dëmshëm për të gjithë nëpunësit civilë. Ky hap i pajustifikuar do të krijojë kaos në administratë, për më tepër kjo gjendje e fluksit do të zgjatet, pasi nuk është e mundur të organizohen qindra rekrutime në një periudhë ditësh apo javësh”, ka bërë me dije zyra e BE-së, duke shtuar se janë mbi dy mijë pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në Kosovë.

Zyra e BE-së ka kërkuar nga deputetët që të ndalet kjo iniciativë e rrezikshme për administratën.

“Pyetja mbetet gjithashtu, nëse të gjithë lirohen brenda një viti, kush do të ulet në komisionet e pranimit nëse shumica e drejtuesve marrin pjesë pikërisht në këto procedura të konkurrimit? Së fundi, ky precedent mund të hapë lehtësisht rrugën për lirime identike të zyrtarëve nga pozitat drejtuese kur ndonjë qeveri e ardhshme të marrë pushtetin. Ne rekomandojmë fuqishëm Kosovën që në radhë të parë të mos vazhdojë me këtë iniciativë për shkak të rreziqeve të larta në sigurimin e qëndrueshmërisë së menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike”, theksohet në komente.

Mungesa e përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve

Mungesa e përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për pozita të larta drejtuese është një tjetër shqetësim BE-në. Sipas tyre, ky është një devijim i qartë nga parimi i rekrutimit të bazuar në merita.

“Dispozita e re që thotë se, në procedurën e pranimit, të gjithë kandidatët e vlerësuar nga komisioni i pranimit mbi pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohen kandidatë fitues dhe propozohen për përzgjedhjen përfundimtare nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, nuk është në përputhje me parimin e meritës. Ky është një devijim i qartë nga parimi i rekrutimit të bazuar në merita. Nëse diskrecioni i jepet një mbikëqyrësi të drejtpërdrejt dhe jo vetëm kandidati më i mirë mund të emërohet, ky diskrecion duhet të kufizohet në një numër të kufizuar kandidatësh me renditje të lartë, përvoja, aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e të cilëve do të sigurojnë performancë efektive të punës drejtuese” thuhet në dokumentin e BE-së, duke shtuar se ky kufi është zakonisht i tre kandidatëve më të mirë të renditur, siç është rasti në ligjin aktual në fuqi.

“Aktualisht, në Kosovë dhe në vendet e tjera, ekziston një praktikë më e mirë ku një arsyetim me shkrim për mos zgjedhjen e kandidatit të parë të renditur në listën e ngushte kërkohet nga ministri si instrument i transparencës dhe llogaridhënies, gjë që dëshmon gjithashtu rëndësinë e kufizimit të arbitraritetit në këtë fazë kyçe të procesit të përzgjedhjes. Kur profesionalizmi dhe përvoja e komisioneve të pranimit janë ende të kufizuara, kufizimi i kandidatëve në listën e ngushtë në tre është një mekanizëm themelor për të siguruar përzgjedhjen e bazuar në merita”, thuhet në dokument.

Shqetësime janë shprehur edhe për fushën e zbatimit të ligjit. Sipas komenteve, në nenin 6 të projektligjit ekzistojnë disa përjashtime nga zbatimi i ligjit të parapara në nenin 3.2, ndërsa neni 6.1 përcakton një kategori të nëpunësve civilë me status të veçantë, të cilëve punësimi duhet të rregullohet me ligj të veçantë.

Rekrutimi i decentralizuar, mundësi për politizimin e administratës

Për Zyrën e BE-së është i papranishëm edhe neni 98 i këtij projektligji, i cili parasheh që prej 18 muajsh do të zbatohet një procedurë e veçantë për rekrutimin e stafit në administratë.

“Për shkak se nuk mund të gjendet asnjë justifikim tjetër, mund të kuptohet se kjo dispozitë propozohet për të shmangur një situatë ku administrata nuk është e gatshme të kryejë rekrutime të centralizuara. Megjithatë, kjo është një zgjidhje e papërshtatshme për një problem legjitim. Prej 18 muajsh do të zbatohet një procedurë e veçantë për rekrutimin, vlerësimin dhe emërimin e kandidatëve, që do të miratohet nga qeveria, por ende e pa përcaktuar”, ka vlerësuar Zyra e BE-së.

Sipas komenteve, një procedurë e tillë nuk garanton kurrfarë cilësie në procesin e rekrutimit.

“Ekziston një rrezik i madh që gjatë gjithë kësaj periudhe të mos ketë kontroll dhe garanci mbi zbatimin e tyre me standarde të bazuar në meritë dhe konkurrencë, nuk ka siguri për cilësinë e proceseve të rekrutimit dhe rrjedhimisht është një rrezik i lartë politizimi. Për më tepër, është e paqartë nëse kjo dispozitë e rekrutimit të decentralizuar është e zbatueshme vetëm për kategorinë profesionale, apo nëse pozitat e drejtuesve të ulët dhe të mesëm mund të rekrutohen dhe përzgjidhen nga secili institucion individualisht gjatë periudhës 18 mujore”, thuhet ndër të tjera në dokumentin që e ka siguruar gazeta Nacionale.

Në fund, Zyra e BE-së ka inkurajuar Kuvendin e Kosovës që t`i shqyrtojë me kujdes komentet dhe këshillat e tyre dhe të ndryshojë këtë projektligj gjatë leximit të dytë.

Kritika të ashpra për këtë projektligj ka pasur edhe opozita. PDK, LDK dhe AAK në lexim të parë kanë votuar kundër këtij projektligji./Prishtinapress/

Exit mobile version