Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka pranuar një letër nga disa deputetë evropianë dhe amerikanë.
Në letër thuhet se kërkohet nga Brukseli dhe Washingtoni që të ndryshojnë qasjen e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë korrespondencën që Përfaqësuesi i Lartë (Borrell) merr nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse akterët përkatës i shkruajnë atij, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse. Ne nuk bëjmë korrespondencë përmes mediave”, deklaroi Stano për Radio Evropa e Lirë.
56 deputetë nga Evropa dhe ShBA-të kanë kërkuar në letër ekuilibër dhe proporcionalitet në ndërveprimin me Kosovën dhe Serbinë.
Por, Stano rikujton se politika e jashtme drejtohet njëzëri nga shtetet anëtare të BE-së.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
Duke konfirmuar neutralitetin në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Stano thekson se institucionet e Brukselit e vlerësojnë angazhimin e palëve në dialog “në bazë të meritave të tyre individuale dhe raporteve për shtetet anëtare”.
“BE-ja u ka dërguar kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit. Bashkimi Evropian po monitoron me kujdes nëse Serbia i përmbush kërkesat e saj dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave”, tha zëdhënësi i BE-së.
Në muaj qershor Brukseli vendosi masa ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave ndërkombëtare lidhur me de-përshkallëzimin e situatës në veri të vendit.
Një muaj më vonë Kosova pranoi të ndërmarrë disa hapa në drejtim të shtensionimit, të cilat Brukseli i vlerësoi si “hap në drejtimin e duhur”.
Por, thuhet se masat do të hiqen vetëm kur të plotësohen të gjitha kërkesat.