TikToku është gjobitur me 345 milionë euro për shkeljen e ligjit të Bashkimit Evropian për dështimin në mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve, duke përfshirë dështimin për të mbrojtur përmbajtjen e përdoruesve të mitur nga opinioni publik, shkruan The Guardian.
Mbikëqyrësi irlandez i të dhënave, i cili rregullon TikTokun në të gjithë BE-në, ka thënë se aplikacioni në pronësi kineze kishte kryer shkelje të shumta të rregullave.
Sipas mbikëqyrësit, TikToku kishte shkelur rregullat duke vendosur llogaritë e përdoruesve fëmijë në një cilësim publik si parazgjedhje; dështimi për të ofruar informacion transparent për fëmijët; lejimi i një të rrituri që të hyjë në llogarinë e një fëmije në cilësimin e “familjes” për të mundësuar mesazhe direkte për moshat mbi 16 vjeç; dhe duke mos marrë parasysh siç duhet rreziqet që u vinin atyre më pak se 13 vjeç në platformë, të cilët ishin vendosur në një mjedis të njëjtë me të rriturit.
Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) ka thënë se përdoruesit e moshës 13 deri në 17 vjeç në regjistrimin e llogarisë kishin procedurë të njëjtë sikurse të rriturit dhe llogarita e tyre ishte publike.
DPC vendosi që TikToku, që ka moshën minimale për përdorim 13 vjeç, nuk e mori parasysh siç duhet rrezikun e paraqitur për përdoruesit e mitur që fituan qasjen në platformë. Sipas tyre, çdo kush në TikTok mund ta shikonte përmbajtjen e një profili të një 13-vjeçari.
Vendimi i DPC vjen pasi TikToku u gjobit me 15 milionë euro në prill nga rregullatori i të dhënave në Britani për përpunimin e paligjshëm të të dhënave të 1.4 milionë fëmijëve nën 13 vjeç, të cilët po përdornin platformën pa pëlqimin e prindërve. Komisioneri i informacionit ka thënë se TikToku kishte bërë “shumë pak, nëse asgjë” për të kontrolluar se kush po përdorte platformën.
TikToku ka thënë se ka marrë masa dhe ka përmirësuar çdo problem për të cilin janë gjetur shkelje.