Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka reaguar pas vendimit të së enjtes së Gjykatës Kushtetuese, ndaj dekretit të presidentit Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Përmes një deklarate BE-ja ka bërë thirrje që të respektohet dhe zbatohet vendimi i Kushtetueses.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si parim kyç i sundimit të ligjit, ne ftojmë të gjithë aktorët politikë të Kosovës që ta zbatojnë atë. Tani i takon Kuvendit që t’i ndërmerr hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Ndërkaq dje, I dërguari special i presidentit Donad Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po ashtu ka kërkuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë që të respektohet vendimi i Kushtetueses.
Ndërkaq, sipas vendimit të gjykatës, dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.