Dje emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka bërë një prej deklaratave më të prera që nga marrja e mandatit të tij sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se një person dhe një palë nuk mund të shmang detyrimin për krijimin e Asociacionit dhe ka shtuar se “ne do ta bëjmë këtë dhe se ka shumë partnerë që duan raporte më të mira me serbët”.
“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, ka thënë Escobar.
Ndërkohë edhe emisari sllovak, Miroslav Lajcak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë ka deklaruar se ka pasur pritshmëri më të mëdha për mirëkuptim nga Kurti, derisa pas takimit me Aleksander Vuçiqin ka thënë se presidenti serb është treguar shumë konstruktiv dhe i gatshëm për vendime të vështira.
Këto zhvillime të djeshme Toby Vogel nga DPC po i sheh si përgatitje të terrenit nga SHBA dhe BE për ta fajësuar kryeministrin Albin Kurti në rast se dialogu do të kolapsojë.
“Së bashku me komentet e Lajçakut, kjo e bën të qartë se BE-ja dhe SHBA-ja po përgatisin terrenin për të fajësuar Kurtin nëse/kur dialogu të dështojë”, ka shkruar Vogel.