Mediumi i njohur ndërkombëtar, BBC, ia ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Kosovë. Në një tekst me titull “Pse u ndezën telashet mes serbëve dhe qeverisë së udhëhequr nga shqiptarët?”, mediumi britanik shkroi se si tensionet u ngritën javët e fundit.
Tensionet u ngritën midis serbëve etnikë dhe qeverisë së udhëhequr nga shqiptarët në Kosovë, Europën Juglindore, lidhur me një mosmarrëveshje për targat e makinave në Kosovën veriore.
Kishte frikë se dhuna midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë mund të ndizej përsëri, 23 vjet pas luftës në Kosovë, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Megjithatë, më 23 nëntor, të dy palët arritën një marrëveshje për të zbutur grindjen.
Pse janë ndezur telashet tani?
Marrëdhëniet mes qeverisë së dominuar nga shqiptarët dhe pakicës serbe kanë qenë të acaruara prej vitesh.
Në vitin 2022, BBC shkruan se “tensionet çuan në mosbindje civile”.
Qeveria e Kosovës donte t’i detyronte ata në zonat me shumicë etnike serbe t’i ndërronin targat e tyre të automjeteve të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.
Më pas, BBC ka përshkruar tensionet që e karakterizuan atë pjesë pas vendimit të Qeverisë.
A ishte e përfshirë Rusia?
Në gusht, qeveria e Kosovës tha se Serbia po nxiste tensione etnike dhe pretendoi se Rusia po e mbështeste atë.
Serbia dhe Rusia janë aleatë tradicionalë.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia refuzoi t’i bashkohej regjimit të sanksioneve të vendeve të tjera europiane.
Në maj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nënshkroi atë që ai tha se ishte një marrëveshje e favorshme gazi me presidentin rus Vladimir Putin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova fajësoi për tensionin në Kosovë institucionet kosovare që vendosin “rregulla të pabaza diskriminuese”.