Site icon PrishtinaPress

BBC e pyet Kurtin pse u lanë të iknin nga Banjska terroristët në krye me Radojiçiqin – kjo është përgjigjja e tij

Kryeministri Albin Kurti ka folur për një podcast/dokumentar të BBC që u realizua për atë që krijoi vendimi i Bankës Qendrore me përjashtimin e dinarit nga përdorimi.

Kurti tha se institucionet financiare të Kosovës e kanë diktuar këtë dhe tha se kjo u bë me qëllim luftimin e financimit të terrorizmit.

“Dinari i takon shekullit të kaluar dhe Millosheviqit , nëse Serbia e pëlqen dinarin neve s’mund të na imponojë. Ne duhet të dimë se kush po dërgon para, te kush dhe për çfarë qëllimi”.

Këtu Kurti foli për municionin e gjetur pas sulmit terrorist të Banjskës dhe tha se i gjithi ishte prodhuar në Serbi.

“Ata deshën një luftë të re, nuk ndodhi dhe ne ia dolëm të eliminojmë tre terroristë, por pasojat ishin se dhjetëra prej tyre arritën të iknin dhe sot janë në Serbi”.

BBC: Pse i latë të iknin kur i kishte rrethuar?

“Ne kishim një perimetër të gjatë dhe të gjerë. Ne nuk deshëm që ndonjë nga plumbat e policisë tonë të përfundonin në manastirin ortodoks serb. Çmimi që ne paguam ishte fakti që ata ia arritën të ikin”.

Gjithashtu, Kurti tha se serbët si minoritet në Kosovë kanë të drejtat “më të gjera” në Europë, përfshirë gjuhën serbe si gjuhë zyrtare, 10 ulëse të garantuara në Kuvend, etj.

“Ajo çfarë kam bërë në këto tri vjet është ligjshmëri dhe kushtetutshmëri. Ne duhej të luftonim financimin e terrorizmit”.

Ai tha se minoriteti serb nuk është i rrezikuar nga qeveria e tij, por se ata s’i lë rehat qeveria serbe.

“Shumica e komunitetit serb e pranojnë Republikën e Kosovës si vendin e tyre. Megjithatë, neve na duhet të parandalojmë Beogradin që t’i ngacmojë ata. Nuk ka rrezik nga qeveria ime për serbët e Kosovës. Ne s’mund të lejojmë që një individ apo grup të bëhet më u fuqishëm se shteti dhe shteti është për sundim ligji për të gjithë”. /Express/

Exit mobile version