Ky transformim pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë kur do të largohen të gjithë ushtarët gjermanë të KFOR-it nga Prizreni dhe do të vendosen në Prishtinë.
Në këtë kamp, që ka mbi 40 hektarë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës do të mund të marrin njohuri dhe të trajnohen për teknologji informative, bujqësi, ushqim dhe agro-përpunim, industri kreative, turizëm, arsim, shkencë dhe hulumtime të ndryshme.
Lis Dorambari nga zyra për media e Komunës së Prizrenit thotë për Radion Evropa e Lirë, se së bashku me Agjencinë Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) janë duke hartuar planin rregullues të këtij parku.
“Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve, ku qëllimi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, mundësi për arsim dhe aftësim profesional. Do të ketë biznese të ndryshme. Tani është duke u bërë studimi i fizibilitetit nga ana e GIZ-it gjerman dhe është bërë edhe takimi informues mes Komunës së Prizrenit dhe GIZ-it, për hartimin e një plani rregullues”, thotë Dorambari.
Kampi posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1,200 persona.Sipas analistit Emrush Ujkani, qytetarët e Kosovës tani kanë nevojë më shumë për përkrahje ekonomike sesa ushtarake. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se Gjermania vazhdon të jetë partneri më strategjik i Kosovës së pasluftës.
“Largimi i ushtarëve gjermanë mund të shpjegohet në dy mënyra; e para, kjo dëshmon se Kosova po shndërrohet në një shoqëri civile, ku fuqia ose prezenca militare apo ushtarake nuk është e nevojshme dhe Kosova ka nevojë për prezencë ekonomike, prandaj fuqia sot e vendeve të ndryshme nuk duhet të matet vetëm me terme ushtarake, por edhe ekonomik. Dhe në këtë drejtim e shoh kontributin ose vazhdimin e raporteve të Gjermanisë me Kosovën”, thotë Ujkani.
Derisa në vitin 1999, ushtarët gjermanë hynë në Prizren, me tanke e armatim të rëndë, ata tash u larguan me bandë muzikore. Sheshi Shatërvan, ishte vend-takimi i fundit i ushtarëve gjermanë të KFOR-it me qytetarët prizrenas.
Pas 19 vjetësh shërbim në këtë qytet, me ceremoni ushtarake dhe me duartrokitje të shumta ushtarët gjermanë kanë bërë parakalimin lamtumirës.
“Po kam emocione që po i shoh bile këta, se ditën e parë i kam parë këta kur kanë ardhur. Këtu në shatërvan kam qenë me fëmijë”, thotë Suzana Skeja.
Për Naim Spahiun, është ende i freskët kujtimi kur pa për herë të parë ushtarët gjermanë në Urë të Gurit. Ai thotë se asnjëherë nuk do ta harrojnë kontributin e këtyre ushtarëve, por edhe të popullit gjerman.
“Shumë mirë më kujtohet. Ishte viti 1999, pikërisht këtu qëllova tek Ura e Gurit, e takova një grua të afërme të gjakut tim, e komshiut. Hynë forcat e NATO-s, ka qenë gëzim i madh. Gëzim i paparë, i paparashikuar ndonjëherë në historinë e popullit. Unë nuk do ta harroj kurrë për jetë”, thotë Spahiu.
Bundesweri edhe më tutje do të jetë i angazhuar në kuadër të KFOR-it, pasi disa ushtarë gjermanë do të stacionohen në Prishtinë.
Gjermania do të mbetet e pandryshuar në listën e 10 vendeve me praninë më të madhe të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, ndërsa në qendrën e vëmendjes së saj do të jetë avancimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).