FC Bayern Munich njoftoi zyrtarisht këtë të premte për shkarkimin e Julian Nagelsmann.
Së bashku me Nagelsmann, janë larguar edhe ndihmës-trajnerët, Dino Toppmoller, Benjamin Gluck dhe Xaver Zembrod.
Shefi ekzekutiv i klubit gjerman, Oliver Kahn, ka treguar arsyen që shtyu klubin të marrë vendimin për shkarkimin e Nagelsmann.
“Kur nënshkruam me Julian Nagelsmann për FC Bayern në verën e vitit 2021, ne ishim të bindur se do të punonim me të në një bazë afatgjatë – dhe ky ishte qëllimi i të gjithë neve deri në fund. Julian ndan aspiratën tonë për të luajtur futboll të suksesshëm dhe tërheqës. Por, tani kemi arritur në përfundimin se cilësia në skuadrën tonë – pavarësisht titullit të Bundesligës vitin e kaluar – ka dalë gjithnjë e më rrallë në plan të parë. Pas Kupës së Botës kemi luajtur më pak me sukses dhe më pak tërheqës. Luhatjet e mëdha të performancës kanë vënë në dyshim synimet tona për këtë sezon, por edhe synimet tona për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne kemi vepruar tani. Personalisht dhe në emër të FC Bayern, do të doja të falënderoja Julian dhe ekipin e tij të trajnerëve dhe t’u uroj të gjithëve fat të mirë për të ardhmen”, deklaroi Kahn.
Rreth këtij vendimi për faqen zyrtare të klubit foli edhe drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic. Ai e cilësoi këtë si vendimin më të vështirë.
Ashtu si Oliver Kahn, edhe Salihamdzic tha se arsyeja e shkarkimit të trajnerit ishte performanca e ekipit nga janari e këtej.
“Ky ka qenë vendimi më i vështirë në kohën time si anëtar i bordit sportiv në Bayern Munich. Unë kam pasur një marrëdhënie të hapur, të besueshme, miqësore me Julian që nga dita e parë. Më vjen keq për ndarjen e rrugëve me Julianin. Por pas një analize të hollësishme të zhvillimit sportiv të ekipit tonë, sidomos që nga janari dhe me përvojën e gjysmës së dytë të sezonit të kaluar, tani kemi vendosur ta lirojmë. I jam shumë mirënjohës Julianit për atë që ka bërë për FC Bayern dhe i uroj gjithë të mirat”, deklaroi Salihamdzic.
Julian Nagelsmann mori drejtimin e Bayernit në verën e vitit 2021.
Nga ajo kohë e deri më tani, 35-vjeçari fitoi titullin e kampionit në Bundesligë në sezonin e tij të parë, si dhe Superkupën e Gjermanisë në vitin 2021 dhe 2022.
Kujtojmë se “Bavarezët” kanë zyrtarizuar Thomas Tuchelin si trajnerin e ri të skuadrës.